Mërgjyshi në “sulm” te Apolonia, 8 lojtarë për të blinduar… ofensivën
Apolonia po lëviz me “vrull” në merkato. Veç 10 emrave të konfirmuar nga vetë Artan Mërgjyshi, ka edhe të tjerë që po mbahen si “asi nën mëngë”. Sipas burimeve tona kofidenciale nga klubi, ka tratativa me më tepër lojtarë se ata që janë zbuluar deri më tani në media, madje një pjesë e mirë e tyre vijnë nga elita.

Siç është deklaruar më herët prej trajnerit, porta mund të quhet e blinduar, ndërsa 8 të tjerët do të jenë elementë që do të mbulojnë pjesën ofensive. Sektor ku ekipi ka shfaqur problemet më të shumta kampionatin e kaluar. Vetë trajneri kërkon një ekip sulmues dhe është logjike, që këtu të fokusohen për të pasuruar organikën.
Por, pavarësisht se janë kaq aktivë në kontakte gjatë merkatos, fierakët kanë probleme të ndjeshme në pjesën defensive. Për të qenë më konkretë: nga reparti mbrojtës janë larguar: Agim Meto, Ervis Troka, Andi Prifti, Endri Braka, Orgest Buzi. Një repart i tërë i ikur, ndërsa në plane deri më tani kanë Jurgen Voglin e Egnatias dhe mbrojtësin e djathtë dinamovit, Marlind Nuriu.
“Do kemi kualitetin e duhur edhe në prapavijë, pa diskutim!”, siguron Mërgjyshi, ndërkohë që kjo e mërkurë pritet të zbardhë edhe emrat e parë që do të veshin fanellën bardhejeshile për sezonin e ri. Viti 2020 përkon me ditëlindjen e 95-të të klubit. Ndaj, ka një angazhim të dukshëm nga të dy aksionerët (presidenti Kokëdhima dhe Bashkia Fier), që ky sezon të mbyllet me sukses.

Kjo dëshmohet edhe përmes buxhetit në rritje, krahasuar me vitet e shkuara (50 milionë lekë të rinj këtë vit). Nuk flitet vetëm për ekipin e parë, që doemos do të kërkojë elitën, por edhe zgjerimin e ekipeve zinxhir. Vëmendje të veçantë do të ketë edhe ekipi i parë i femrave dhe objektivi i tyre është që të zbresin nga “froni” kampionen disavjeçare, Vllazninë.
Bujar Rama













