Me tri mungesa ndaj ballshiotëve, Gvozdenoviç: Duam vetëm pikët, nuk më intereson loja e bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2025 | 9:23

Me tri mungesa ndaj ballshiotëve, Gvozdenoviç: Duam vetëm pikët, nuk më intereson loja e bukur

Ivan Gvozdenoviç kërkon të dalë sa më parë nga kriza e rezultateve me Elbasanin e tij dhe për këtë arsye do të synojnë vetëm fitoren ditën e sotme në Ballsh. GvozdenoviçNë daljen e tij para mediave në kuadër të kësaj sfide, serbi i verdhebluve ndalet fillimisht tek gjendja e skuadrës, ku sërish dëmtimet nuk po i ndahen, ku së fundmi është shtuar edhe Klevis Kasa.

“Deri më tani jemi në rregull, edhe pse kemi sërish mungesa. Bëhet fjalë për Lleshin, Hakajn dhe Klevis Kasën që ka një problem të vogël. Ishte aktivizuar me U-21 dhe ka një goditje. Të tjerët janë gati dhe situata është mirë”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanin në prag të duelit me mallakastriotët.

KUNDËR MEZANIT – Bylisi do të jetë me një trajner të ri përballë Elbasanit, duke qenë një rebus më vete sesi do të luajnë ndaj tyre. Gjithsesi, për Gvozdenoviç në Ballsh do të luhet vetëm për të marrë fitoren.

“Mezani është një trajner i mirë dhe e njeh kampionatin shqiptar. Do të shohim edhe sesi do të luajnë ata, pasi me Deden luanin 3-5-2 dhe 4-4-2 me romb. Ndoshta tani do të luajnë me një formacion të ri apo me një ide tjetër. Megjithatë, nuk është problem për ne, sepse jemi gati dhe do të shohim si mund të reagojmë. Edhe me Egnatian luajtëm mirë, edhe pse nuk morëm dot pikë. Të njëjtën gjë do përpiqemi të bëjmë edhe me Bylisin, por me idenë për të marrë pikët, sepse kemi nevojë për to. Ndaj Bylisit synojmë vetëm pikët, nuk më intereson shumë loja e bukur. Jemi të përqendruar dhe do bëjmë maksimumin”, vijoi më tej tekniku i Elbasanit.dsgOBJEKTIVI – Një tjetër rezultat negativ mund të vërë në rrezik mbijetesën e Elbasanit, por Gvozdenoviç i sheh gjërat vetëm pozitivisht sa i përket ecurisë. “Tani të gjitha janë të hapura. Por, nuk do rrimë të mendojmë nëse do shkojmë lart apo poshtë. Presionin e kemi, si pjesë e futbollit. Megjithatë, ne jemi të gjithë të përqendruar dhe kemi vetëm mendim pozitiv për të fituar dhe për të dalë sa më mirë”, u shpreh ai sa i përket rrezikut që i kanoset.

PENALLTITË – Gvozdenoviç u ngacmua paksa edhe për penalltitë e humbura, ku, nga pesë të tilla, Elbasani ka shënuar vetëm dy. Në fund, këto penallti kanë ndikuar edhe në rezultat, siç ishte rasti i Egnatias së fundmi. “Nga koha kur jam unë trajner, kemi pasur dy penallti në favor. Një e shënoi Lila kundër Laçit dhe një e humbi Tsague me Egnatian. U mërzitëm paksa, sepse ishte një moment i mirë për ne, por kjo iku tashmë. Të gjithë mund të humbasin penallti. E kemi diskutuar, ishte një gabim nga Tsague, por kjo ka kaluar dhe do të shohim vetëm përpara”, mbylli prononcimin e tij për mediat tekniku i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL