Më parë ka luajtur në elitën e futbollit portugez, mesfushori Estrela: Skënderbeun e zgjodha prej së kaluarës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2025 | 11:29

Më parë ka luajtur në elitën e futbollit portugez, mesfushori Estrela: Skënderbeun e zgjodha prej së kaluarës

Skënderbeu ka rihapur gjithçka sa i përket mbijetesës dhe momenti që po kalon duket se është ndër më të mirët e këtij sezoni.estrelaFitorja në Shkodër i ka dhënë akoma edhe më shumë shpresë korçarëve për të synuar mbijetesën mes më të mirëve në këtë sezon dhe kjo duket se është nota më pozitive në këtë moment në radhët e korçarëve. Normalisht që në gjithë këtë ecuri, sikundër e pranoi edhe Gjoka e kanë afrimet e janarit që kanë sjellë një tjetër ritëm tek korçarët.

Një nga më të spikaturit duket se është spanjolli Paulo Estrela. Mesfushori që ka luajtur në elitën e futbollit portugez, ka ardhur në Korçë me një tjetër marsh duke bërë që mesfusha e Skënderbeut të xhirojë më mirë dhe mbi të gjitha të ketë më shumë siguri dhe eksperiencë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Estrela tregon se si u bind të mbërrinte në Korçë dhe sa e njihte futbollin shqiptar dhe klubin bardhekuq.

“Ka qenë një periudhë ku unë kërkoja aktivitetin dhe minuta të sigurta pas një momenti jo shumë pozitiv. Më erdhi një ofertë nga Skënderbeu dhe vendosa të interesohem për futbollin shqiptar. Pashë që në elitën e futbollit shqiptar ka shumë rivalitet dhe luhet një futboll i mirë. Nuk ka dallime të shumta mes ekipeve qofshin këto në vendin e parë apo në fund të tabelës. Pasi u konsultova, vendosa të zgjedh Skënderbeun si ambientin më të përshtatshëm që i përshtatet edhe karakteristikave të mia si futbollit. Për Skënderbeun kam dëgjuar edhe më herët. E di që është një nga klubet e vetme shqiptare që ka dy prezenca në Europa Ligë në fazën e grupeve dhe kjo më shtyu më shumë që të pranoj kalimin tim këtu. Më pas pashë se kisha të bëja me një staf dhe klub tejet profesionist duke filluar nga presidenti Takaj, drejtori Gjançi dhe trajneri Gjoka. Këto më sollën në Korçë dhe jam i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje, pasi e shoh Skënderbeun si një mundësi për të rritur nivelin dhe për të hedhur një hap drejt elitës së futbollit në Europë”, theksoi fillimisht Estrela.

I ndalur më pas tek eksperienca e deritanishme dhe ndjesia që po përjeton në këtë klub, Estrela tregon se përshtatja ka qenë e lehtë dhe tani ndihet si pjesë e rëndësishme e ekipit.

“Nuk kam pasur vështirësi që në momentin e parë që erdha këtu, pasi të gjithë më pritën mirë dhe më bënë pjesë të tyre. Këtë e tregon edhe fakti që shumë shpejt u ingranova me grupin dhe luajta si titullar pak pas mbërritjes sime. Kjo tregon se fryma në këtë klub është shumë pozitive dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë. Tani jemi të gjithë të përqendruar për një qëllim. Duam të luftojmë dhe të sakrifikojmë maksimalisht që të arrijmë objektivin për të mbajtur këtë ekip me histori në elitën e futbollit shqiptar”, përfundoi prononcimin e tij Estrela.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL