Mbledhja për Ligën Profesioniste në FSHF, klubet: Duam financa dhe pavarësi, gati në 2018-n
Sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është mbajtur një takim mes përfaqësuesve të klubeve të Kategorisë Superiore për të diskutuar në lidhje me krijimin e Ligës Profesioniste.

Ndërmarrja e këtij hapi është diskutuar prej vitesh mes klubeve të futbollit në Shqipëri, por deri më tani nuk është hedhur asnjë hap konkret përveçse diskutimeve të përgjithshme. Krijimi i Ligës pritet që të rritë nivelin e menaxhimit të garës sportive, çka do të sillte një produkt më cilësor për sportdashësit i cili rrjedhimisht do të prodhonte më shumë të ardhura edhe për klubet.
Në mbledhjen e sotme në FSHF janë paraqitur vetëm 8 klube të Superiores ndërsa munguan Kukësi dhe Flamurtari të cilët kishin njoftuar për mungesën e tyre.
Deklaratat e përfaqësuesve të klubeve:
Genc Tomori (Partizani)
“Një ligë e pavarur ku ekipet e Superiores do të jenë të pavarura nga Federata, do të bëjë që edhe presidentët nuk do të shohin vetëm federatën për arbitrat apo komisionet e Disiplinës. Pastaj do të jetë sinqeriteti i dhjetë presidentëve, që ti shohin njerëzit në sy në kuptimin e vendimarrjes.
Po humbim kohë për teka të vogla. Një bashkim i dhjetë presidentëve, për të mirën e tyre për lekët e tyre, sepse nuk mund vetëm të japësh, por futbolli është një produkt që duhet të nxjerrë lekë. Liga të jetë sa më e fuqishme dhe të gjithë të dalin sa më të kënaqur. Për më tepër në fitimin e kampionatit apo Kupës të mos ketë kontestime, sepse janë të gjithë në një pjesë dhe aty të vendosin të gjithë.”
Edmond Hasanbelliu (Teuta)
“U mblodhëm në parim për nismën e ligës profesioniste. Pothuajse të gjithë klubet ishin, edhe pse do të ishte mirë që të ishin të gjitha. Megjithatë ne firmosëm sot për krijimin. Nisma e parë ishte sot. Mendoj se jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Klubet kanë interes sepse kanë të ardhura më shumë, liga përfaqësohet nga ne, presidentët. Aty vendoset gjithçka për të ardhmen, për financimin dhe gjithçka. Në vitin 2018 themi se do të jemi me ligë profesioniste.”
Astrit Gjyrezi (Vllaznia)
“Ka disa muaj që kemi marrë materialin. Kemi shprehur dakordësinë tonë për krijimin e Ligës. Mendojmë që është një hap pozitiv, por jemi ende në hapat e para. Kjo pavarësi ka për të ndikuar më mirë në aspektin financiar, por edhe për një bashkëpunim më të frytshëm me federatën.”
Artur Dadaj (Luftëtari)
“Ka ardhur koha që të vendosim vetë për shumë gjëra… më tepër e kam për arbitrimin, duke pasur parasysh që ne si ekip u dëmtuam shumë nga arbitrat. Shpresoj që në këtë drejtim, kjo të shërbejë si diçka piozitive dhe të mos jetë plotësisht në dorën e federatës.”
Gentian Nushi (Lushnja)
“Liga është shumë e vonuar, por asnjëherë nuk është vonë. Liga do të menaxhojë më mirë Kategorinë Speriore dhe të ardhurat. Të gjitha u përfshinë në një memorandum që të fillojë puna dhe në të gjithë të jemi më të përfaqësuar, duke qenë një zë dhe jo më dhjetë zëra.”













