E vërteta e refuzimit Shqipërisë më 2007″
I kanë mjaftuar pak, vetëm 15 ndeshje në dy vjet që Mërgim Mavraj “të përmbysë” opinionin negativ që mbizotëronte në Shqipëri dhe të bëhej një lider në prapavijën kuqezi. 27-vjeçari ka debutuar për Shqipërinë më 22 maj 2012, por historia e tij me kuqezinjtë nis shumë më herët. Ishte viti 2006 kur Mavraj u pa për herë të parë në Tiranë, teksa mori pjesë në një grumbullim me talente anekënd Europës. Asokohe, në krye të skuadrës sonë qëndronte Oto Bariç, i cili e vlerësoi lojtarin duke kërkuar që ai të pajisej me pasaportë shqiptare. Më pas mbrojtësi u grumbullua nga Shpresat (ishte 19 vjeç), gjë që nuk i pëlqeu (pretendonte Kombëtaren A), ndaj në 2007- n, Mavraj debutoi për U-21 të Gjermanisë. Kaq u desh që ndaj lojtarit të mëshonin ofendime pa fund, madje deri në kërkesa nga ana e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që ai të dorëzonte pasaportën shqiptare.
Arsyet – “Kam pasur histori pak problematike. Atë periudhë tani e shoh me një sy si të mbyllur. Më vjen keq dhe e qaj kohën e humbur. Thjesht, nuk ishte e shkruar që më herët të jem pjesë e Kombëtares. Dhe vetëm Zoti e di nëse po t’i bashkohesha më herët Kombëtares, do të isha i suksesshëm sa tani. Kanë ndikuar shumë gjëra: isha i ri, pa përvojë. Kanë pasur ndikim edhe menaxheri, federata, mediat. Të gjithë kanë kontribuar që gjërat të ishin ashtu”, – ka theksuar Mavraj në një speciale të publikuar nga “Koha Ditore”.
Ai vlerëson se FSHF-ja është përmirësuar shumë në organizim dhe vëzhgimin e lojtarëve, sidomos që nga koha kur në drejtim ka ardhur Xhani De Biazi. Por, pasi nuk arriti që të fitonte një vend në Kombëtaren e Gjermanisë, sikundër pretendoi (kujtojmë se Mavraj ka lindur në Hanau, Gjermani, por është me prejardhje nga Istogu i Kosovës), si dhe pasi koha shoi edhe polemikat e shumta, nën kujdesin edhe të De Biazit, Mavraj vishet kuqezi.
Kombëtarja – “Për shkak të historisë që kisha, kam pasur pak frikë për atë se si do të pritesha në Kombëtaren shqiptare. Por çdo gjë ishte shumë mirë që prej ditës së parë. Më kanë respektuar jashtëzakonisht shumë. Stafi, lojtarët, të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë dhënë përkrahje. Më kanë ndihmuar edhe lojtarët me përvojë si Bogdani, Dallku e të tjerët, prandaj u ambientova shpejt. Ndërkohë, kam lexuar nëpër media se në Kombëtare lojtarët nuk kalojnë mirë me njëri-tjetrin dhe se ka ndasi. Nuk është ashtu. Ne funksionojmë si një grup dhe nuk e shikon askush nëse lojtari është nga Shqipëria apo Kosova. Jemi një dhe vërtet më vjen keq që dalin gjëra të tilla të pavërteta në opinion”, – ka vijuar Mavraj.
Faktin që për pak kohë ai u bë i rëndësishëm për Kombëtaren, Mavraj e arsyeton me argumentin se nuk kursehet në asnjë ndeshje. “Personaliteti im më ka shtyrë të punoj për skuadrën e jo për interesat e mia personale. Për mua e rëndësishme është që të ndihmoj bashkëlojtarët që kam afër në fushë. Kur u ndihmoj atyre, i ndihmoj edhe vetes e mbi të gjitha i ndihmoj ekipit. Ka ndikuar edhe përvoja që kam në Bundesligë që të stabilizohem shpejt, por kryesorja është që nuk luaj për vete, por për ekipin”.
Këlni – Së fundi, Mërgim Mavraj luajti për tre vite e gjysmë për Grojther Fyrthin, nga ku 2.5 vite në Bundesligën 2 dhe 1 sezon në Bundesligën 1. Fakti që skuadra nuk arriti të ngjitej në elitë, bëri që mbrojtësi të mos rinovonte kontratën dhe të kalonte te Këlni, ekip ky që sapo është ngjitur në Bundesligën 1. “Kam vendosur më herët të largohem nga Fyrthi. Përjetova shumë gjëra te kjo skuadër. Isha kapiten, luajta në Bundesligën 1 dhe 2. Luajta në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë dhe vlerësova se është koha për diçka të re, për sfida të reja. Te Këlni më pret sfidë e madhe, por kam biseduar kohë të gjatë me menaxherin e këtij klubi dhe kam vlerësuar se është i duhuri për mua. Ka pasur rol edhe fakti që e njoh rajonin ku do të luaj, ka shumë shqiptarë atje dhe nuk pata arsye të vendos ndryshe. Këlni ka pasur probleme në vitet e kaluara, por me ardhjen e menaxherit të ri është stabilizuar dhe tani kam synime që të qëndroj gjatë në Bundesligë”, – përfundon Mavraj.
“Kombëtarja, zgjedhje personale”
Mërgim Mavraj mendon se është kënaqësi që Kosova më në fund po luan ndeshje ndërkombëtare. “Na gëzon të gjithëve fakti që Kosova po ecën para. Dikush luan për Kosovën, dikush për Shqipërinë, dikush për ndonjë vend tjetër. Ka të bëjë me zgjedhje personale dhe këtë duhet ta respektojnë të gjithë. Ne të gjithë e kemi pasur ëndërr të luajmë për Kosovën, tani na mundësohet të luajmë për Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e tjera. Por të gjithë ne luajmë në emër të shqiptarisë”, – ka theksuar Mavraj.
Mbrojtësi, besimtar dhe nacionalist
Ndonëse ka lindur dhe është rritur në Gjermani, Mavraj njihet si atdhetar dhe besimtar i devotshëm mysliman. “Unë kam lindur në Gjermani dhe kam jetuar tërë jetën në këtë vend. Por edukatën e kam marrë nga familja që respekton traditat shqiptare. Të gjitha gjërat i kemi bërë si shqiptarët. Kam folur shqip, kam menduar shqip, kam ëndërruar shqip, jam ushqyer si shqiptar”, – ka thënë Mavraj. Ai ka tre vite që falet pesë herë në ditë. Mavraj thotë se erdhi një kohë kur duhej që i vetëm të merrte vendimet e duhura. “Feja për mua është numër një e më pas vijnë gjërat e tjera. Kam forcuar shumë besimin duke lexuar, por edhe duke vizituar xhaminë”, – thotë mbrojtësi.
Ofertat
Para se të kalonte te Këlni, Mërgim Mavraj ishte ndër më të kërkuarit në merkato (të paktën mediatikisht). Këtë fakt e pohon edhe vetë lojtari. “Më përfundoi kontrata me Fyrthin dhe u transferova me parametër zero te Këlni. Kam pasur oferta konkrete edhe nga ekipe të tjera të Bundesligës. Madje pata edhe një ofertë shumë interesante nga Australia. Sakaq edhe ekipe nga vende të tjera si: Italia, Zvicra, madje edhe Azerbajxhani, Kina e Rusia, më bënë oferta. Por mendova se ishte më mirë që të qëndroja pranë familjes”, – thotë Mavraj.













