Luan për herë të parë në elitë, kapiteni Tabaku: Vora s’do të jetë kalimtare, surpriza e Superiores
Vora ka startuar prej ditësh kompletimin e skuadrës së re, që do ta përfaqësojë në Superiore. Fillimisht ka larguar 7 futbollistë, ka afruar portierin Harizaj, si dhe tre lojtarë kanë rinovuar deri më tani. Pritet që gjatë javës së ardhshme ekipi të plotësohet tërësisht, në mënyrë që më 1 korrik të jetë gati për të nisur fazën përgatitore.

Një prej atyre që ka rinovuar, kapiteni Xhuljo Tabaku, ka folur për “Panorama Sport”. Ai, së bashku me skuadrën e Vorës, do të jenë debutues në elitën shqiptare. Tabaku nuk ka luajtur asnjëherë në Superiore, pasi karriera e tij më së shumti është zhvilluar në Gjermani, ku ka jetuar së bashku me familjen e tij. Mesfushori i qendrës ka rinovuar për sezonin e tretë me Vorën, por i pari në Superiore.
Sërish me Vorën, si e vlerësoni sezonin e tretë?
Te Vora ndihem si në shtëpi, kështu që vlerësimi do të jetë maksimal për të shprehur qartazi besimin që kam marrë nga drejtuesit e klubit.
Ky sezon për ju është i parë në Superiore, si do ta përjetoni?
Për mua, ky sezon është thjesht si një sezon i radhës te Vora. Sigurisht që do të ketë vlerësimin e duhur nga ana ime, duke ditur se tashmë jemi në një nivel më të lartë të futbollit
Për Vorën është historike ngjitja në Superiore. A mendoni se ishte një sukses edhe nga kontributi juaj?
Projekti serioz që klubi i Vorës pati në fillim, bëri të afrohet një kontigjent shumë i mirë futbollistësh, por dhe djem të mirë që kanë kontribute të shumta.
Sipas jush, cila do të jetë Vora e Superiores?
Vora do të jetë ekipi që do dojë të luaj futboll, të kënaqë këdo që do ta shohë. Për më tepër, ne kemi një profesor si Bellai, të cilin e kuptojmë dhe e dimë se çfarë kërkon nga ne dhe idetë e tij që ka për lojën e skuadrës. Mendoj se do bëjmë shumë më mirë edhe këtë vit.
A mund të jepni një krahasim të Kategorisë së Parë me Superioren për nga cilësia e lojtarëve apo ende nuk keni dijeni?
Nëse në Kategorinë e Parë kishte vetëm 3-4 ekipe, që kishin cilësi, si skuadër me lojtarë elite, Superiorja i ka të gjitha skuadrat me lojtar me cilësi dhe të këtij niveli. Mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim më të madh se ato 3-4 ekipe me të cilët ne luftuam deri në fund për të arritur elitën. Padyshim, cilësia do jetë më e lartë, por edhe ne do jemi gati për këtë garë elitare.
A keni një këshillë si kapiten, lidhur me merkaton e verës te Vora?
E thashë dhe më sipër, projekti i klubit ka qenë shumë i qartë dhe do të vazhdoj të jetë i tillë edhe gjatë viteve në vazhdim. Nuk mendoj që Vora do të jetë kalimtare. Kështu që, drejtuesit e dinë shumë mirë çfarë lojtarësh do të marrin për të realizuar synimet e tyre.
Të dy jeni debutues në Superiore, deri ku mendoni se do të arrijë Vora dhe ju së bashku?
Forcën e një ekipi e tregon grupi i mirë dhe jo individët. Kam shumë besim dhe mendoj se do të jemi surpriza e këtij sezoni.
Dy fjalë për Ruzgis, i cili ishte surpriza e kampionatit të kaluar, si dy shokë që keni luajtur në Gjermani. A do të jeni sërish bashkë?
Është e vërtetë që kemi luajtur bashkë dhe njihemi prej shumë vitesh. Nuk m’u desh shumë për ta bindur të vinte te ne gjatë sezonit të kaluar dhe e dija që do bënte kaq mirë. Ua kam thënë të gjithëve në fillim, që do bëjë shumë gola dhe kjo u bë realitet. Ai e mbylli kampionatin me 24 gola si golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kategorisë së Parë. Shpresoj se do të jemi sërish bashkë edhe këtë sezon, besoj se po.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













