Lëvizjet e fundit te Partizani/ Vjen Kazim dhe dy të rinj, Vujnoviç zbret në stërvitje
Kazim Ogunleje mund të quhet zyrtarisht lojtar i Partizanit. Gazeta mëson se klubi i kuq dje ka arritur të mbyllë me sukses këtë transferim në formulën e blerjes.
18-vjeçari pritet që fillimisht t’i bashkohet ekipit të parë në stërvitje, ku do të ndiqet me kujdes nga trajneri Veselinoviç dhe do të shihet nëse ka apo jo përgatitjen dhe cilësinë për të kontribuar menjëherë në ekipin e parë. Ogunleje vjen nga Enugu Rejnxhers në elitën e futbollit nigerian. Adoleshenti luan si mesfushor i avancuar, një rol, që deri para disa javësh e mbulonte Rrapaj dhe aktualisht është vakant.
Sakaq, në stërvitje dje ka zbarkuar edhe Nikola Vujnoviç, i cili me shumë mundësi në orët në vijim pritet të prezantohet. Malazezi vjen si një afrim mjaft potent dhe premtues. Ai vlerësohet plot 550 mijë euro nga “Transfermarkt” dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses malazeze.
Partizani mendon edhe për ekipin B, ku mësohet se janë afruar dy lojtarë. Danjel Kalemi dhe Mërgim Krasniqi do të provohen te Partizani dhe nëse “ndezin”, mund të luajnë edhe me ekipin e parë. Për Krasniqin informacionet janë thuajse zero, teksa Kalemi është 21 vjeç, luan si sulmues i djathtë dhe vjen nga një ekip i kategorisë së katërt austriake. Në të shkuarën ka luajtur me Tiranën U-21.
PANORAMASPORT.AL













