Legjendat e Anglisë paralajmërojnë largimin e Sauthgejt: Mendoj se për të mjafton me kaq
Garet Sauthgejt do t’i japë lamtumirën Anglisë pas zhgënjimit të radhës në Euro 2024. Ky është mendimi i ikonave të futbollit anglez si Geri Lineker, Alan Shirer dhe Rio Ferdinand. Duke folur në emisionin e BBC pas finales ndaj Spanjës, ata bënë të qartë mendimin se për Suathgejt, kjo ishte ndeshja e fundit si trajner i Anglisë.
“Unë kam dyshimin se për Garet Sauthgejt mjaftoi me kaq. Kjo është një punë shumë e lodhshme dhe e vështirë”, tha Geri Lineker.
“Unë kam dyshimin se kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit”, deklaroi më pas Alan Shirer. “Nga ku e mori ekipin dhe ku e lë tani, mendoj se do të ketë zhgënjim të madh. Po, mund të kishim luajtur futboll më sulmues, por shkuam në finale. Megjithatë, kur je këtu, duhet të kalosh edhe vijën e finishit. Realiteti është që ai na çoi në finale tre vite më parë dhe na çoi në finale edhe këtë vit, por nuk fituam. Kjo do ta bëjë atë të ndjejë dhimbje dhe ndoshta do të mendojë se është koha për dikë tjetër”, tha ish-sulmuesi.
Ndërsa Rio Ferdinand, mendon se Sauthgejt duhet të marrë përgjegjësinë edhe për faktin se ekipi nuk ka luajtur mirë. “Duhet të shohësh grupin e talentuar që kemi dhe ndjej se nuk po i vendosim këta lojtarë në pozitën më të mirë të mundshme për ta shprehur. Mendoj se edhe trajneri duhet të ketë kritika për këtë. Federatën e pret një vendim i madh që duhet ët marrë”, tha ish-mbrojtësi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"