Ksabi Alonso: Do të kemi një ndeshje të madhe kundër Parisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2025 | 22:33

Ksabi Alonso: Do të kemi një ndeshje të madhe kundër Parisit

Trajneri i Realit të Madridit, Ksabi Alonso, rrëfeu të dielën, pasi fitorja 3-2 kundër Dortmundit u ndërlikua në minutat e fundit, se ndoshta do të jetë mirë për ekipin të tregohet më i kujdesshëm herën tjetër.

alonso

Sepse, me kalimin e ndeshjeve, sa vjen e vështirësohet, teksa pas verdhezinjve, Realin e pret një duel titanësh kundër Paris SG-së, kampione e Europës në fuqi. Dhe jo më kot basku i stolit të Realit po mendon vetëm për duelin e madh gjysmëfinal kundër PSG-së, të cilin e përshkroi para kamerave të DAZN si një ndeshje brilante.

“Deri në minutën e 80-të, e kontrolluam mirë ndeshjen kundër Dortmundit. Ndeshja ishte në favorin tonë. Shpresojmë se kjo do të na ndihmojë të mësojmë. Mund të bëjmë shumë më mirë, si me penalltinë. Gjëja e mirë është se jemi në gjysmëfinale. Kisha një ndjenjë të mirë, ishim mjaft të qëndrueshëm, por në ato momente gjithçka ndryshoi. Tani është koha për të fituar gjysmëfinalen. Po rritemi, po përmirësohemi dhe po garojmë. E radhës është PSG-ja. Jemi shumë më afër. Ritmi është i mirë”.

MUNGESA E HAUSEN – “Tani për tani, dua pak qetësi dhe nuk po mendoj për formacionin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me mungesën e tij, gjë që nuk është mirë për ne”.

NDRYSHIMET E SKEMËS – “Ne donim që Tçuameni të interpretonte mirë lartësitë. Ai luajti shumë mirë dhe me topin ishte i qartë. Nuk patëm shumë probleme. Në përgjithësi ishim mjaft të qëndrueshëm. Në 20 minutat e para kishim shumë fuqi sulmuese, duke kontrolluar topin. Dhe pastaj na duhej të kishim posedime më të gjata. Ne pranuam shumë. Ndryshimet na dhanë diçka dhe ne rifituam kontrollin. Por në fund, bam, bam, bam dhe gjithçka doli jashtë kontrollit”.

PARISI NË GJYSMËFINALE – “Hapi tjetër është të përballemi me kampionët e Europës. Po rritemi, po ngjitemi lart dhe kjo është ajo që donim. U përballëm me Borusian e Dortmundit, një tjetër ekip i Ligës së Kampioneve. PSG-ja është në një moment shumë pozitiv. Do të jetë një sfidë e madhe për ne”.

GONZALO GARSIA DHE MBAPE – Ai e vlerëson lojtarin e ri dhe beson se francezi nuk është ende në formën e tij më të mirë. “Ai (Gonzalo) e ka shfrytëzuar përsëri mundësinë e tij. Ka shënuar 25 gola për Kastiljen. Është aty ku i takon. Jemi të lumtur me të. Mbape ende nuk është në formë të përsosur. Nuk është në 100 përqind. Tani kemi tri ditë që ai të rikuperohet plotësisht për ndeshjen kundër PSG-së”.

PANORAMASPORT.AL