Kërkohet fitorja e dytë radhazi në “Final 4”/ Dinamo merr avantazhet, ja situata me të tjerët
Dinamo e nisi rrugëtimin e saj në “Final 4” në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore të madhe kundër Vllaznisë në ndeshjen e parë. Të besuarit e Dajës arritën të fitonin me rezultatin e pastër 2-0, në një takim ku në fakt shumë pak mund të mendohej se blutë mund të dilnin me pikë të plota. mungesat e shumta, lodhja nga Kupa e Shqipërisë dhe mungesa e motivimit për shkak të diferencës me vendet e para, ishin disa nga arsyet pse Dinamo nuk shihej si pretendente, edhe pse këtë sezon shpesh herë ka treguar se ndaj kundërshtarëve direktë, di të bëjë mirë.

Dhe pikërisht ky fakt interesant, e bën Dinamon që të jetë më e avantazhuar se të tjerat në përballjet direkte pranë fundit të kampionatit dhe sidomos në “Final 4”, aty ku çdo gol ka shumë rëndësi dhe peshë.
PËRBALLJET ME VLLAZNINË- Në 5 përballjet e fundit të kampionatit mes FC Dinamo City dhe KF Vllaznia Shkodër, bilanci rezulton mjaft i ekuilibruar, por me një avantazh të lehtë për Dinamon në duelet direkte. Blutë kanë arritur 2 fitore, po aq sa edhe Vllaznia, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim. Dinamo triumfoi fillimisht 3-1 në përballjen e 31 gushtit 2025 dhe më pas mori një fitore shumë të rëndësishme 2-0 në Shkodër më 16 maj 2026.
Nga ana tjetër, Vllaznia fitoi 1-0 në nëntor 2025 dhe 2-0 në transfertën e janarit 2026, duke treguar forcën e saj në ndeshjet direkte. Barazimi i vetëm mes skuadrave erdhi më 21 mars 2026 në një duel të luftuar që përfundoi pa gola. Në total, Dinamo ka realizuar 5 gola ndaj 4 të Vllaznisë, duke mbajtur kështu avantazhin minimal në golaverazh. Për këtë arsye, në rast se dy skuadrat e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, bazuar në këto 5 përballje direkte të Superiores, Dinamo do të renditej më lart falë golaverazhit më të mirë në ndeshjet direkte.
PËRBALLJET ME ELBASANIN- Përballja e 24 majit mes Dinamos dhe Elbasanit pritet të jetë vendimtare jo vetëm për rezultatet e javës, por edhe për fatet e “Final 4” dhe bilancin e dueleve direkte mes dy skuadrave këtë sezon. Deri tani janë zhvilluar katër takime në kampionat, ku Elbasani ka marrë dy fitore, Dinamo një, ndërsa një sfidë është mbyllur në barazim. Elbasanasit fituan 1- 0 në shtator 2025 dhe 2-0 në janar 2026, ndërsa Dinamo reagoi fuqishëm në duelin e fundit duke triumfuar 4-1 në “Air Albania”.
Ndeshja tjetër mes tyre, ajo e nëntorit 2025, përfundoi 1-1. Bilanci aktual i golave është plotësisht i barabartë, me të dyja skuadrat që kanë shënuar nga 5 gola secila në përballjet direkte. Megjithatë, Elbasani mban aktualisht avantazhin falë numrit më të madh të fitoreve. Kjo e bën edhe më të rëndësishme sfidën e pestë të sezonit, pasi nëse Dinamo arrin të fitojë më 24 maj, atëherë blutë do të barazonin numrin e fitoreve direkte dhe njëkohësisht do të kalonin përpara në golaverazh. Në këtë skenar, skuadra kryeqytetase do të favorizohej në rast barazimi pikësh në fund të kampionatit, duke fituar avantazhin në renditje falë bilancit më të mirë në ndeshjet direkte ndaj Elbasanit.
PËRBALLJET ME EGNATIAN- Përballjet mes Dinamos dhe Egnatias këtë sezon kanë qenë ndër më të luftuarat në Superiore, ashtu si edhe në Kupë apo Superkupë, me diferenca minimale dhe ekuilibër të plotë në bilancin e golave. Në katër ndeshjet e kampionatit të zhvilluara deri tani, Egnatia ka marrë dy fitore, Dinamo një, ndërsa një sfidë është mbyllur në barazim. Rrogozhinasit fituan fillimisht 2-1 në transfertë ndaj Dinamos dhe më pas triumfuan 1-0 në shtëpi, duke krijuar avantazh në duelet direkte. Nga ana tjetër, Dinamo reagoi në përballjen më të fundit duke fituar 2-0 në kryeqytet, një sukses që mbajti të hapur garën mes skuadrave.
Takimi tjetër mes tyre kishte përfunduar pa gola. Aktualisht, Egnatia mban avantazhin në përballjet direkte falë dy fitoreve ndaj një të Dinamos, ndërsa golaverazhi është i barabartë me nga 3 gola të shënuar secila skuadër. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur përpara ndeshjes së pestë direkte që do të luhet më 29 maj.

Nëse Dinamo arrin të fitojë atë takim, atëherë blutë do të barazonin numrin e fitoreve direkte dhe njëkohësisht do të kalonin përpara në golaverazh, çka do t’i jepte Dinamos avantazhin në rast barazimi pikësh në fund të kampionatit. Dinamo aktualisht shpreson vetëm nga matematika që të fitojë titullin kampion, pasi për të bërë diçka të tillë, duhet të realizohen disa skenarë thuajse të pamundur. Dinamo nga ana e saj duhet që të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, ndërsa ndeshjet e rivalëve të përfundojnë në barazime.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













