Katër mungesa dhe dy rikuperime te Partizani, mbrojtja e kuqe është në “alarm” para Egnatias
Partizani është kthyer dje në stërvitje për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Egnatias të shtunën në Rrogozhinë në orën 13:30.

Të kuqtë kanë jo pak probleme për shkak të pezullimeve prej kartonëve të marrë kundër Tiranës në derbi. Gudjufi, Bytyçi dhe Taipi u ndëshkuan me kartonë të kuq, ndërsa Janjeva plotësoi numrin katër të ndëshkimeve me të verdhë.
Në kampin e kuq po shpresojnë që Disiplina të mos marrë pezullime më të mëdha në vendimet për tensionin në derbi. Sa i përket formacionit, trajneri Veselinoviç do të kërkojnë për zgjidhje të reja në krahët e mbrojtjes dhe në mesfushë, ku mungon Taipi.
Në mungesë të Bytyçit dhe Janjevës, mund të shohim Paulo Buxhelajn dhe Anteo Osmanllarin në krahët e mbrojtjes. Në fakt ata janë lojtarë në rolin e tyre natyral, por nuk janë preferuar shumë nga trajneri. Në mesfushë me shumë mundësi në vend të Taipit pritet të startojë një mes Shanajt dhe Mandos.
Dje në stërvitje është bashkuar David Atanaskoski, që ka një dëmtim në fytyrë, por është drejt shërimit total. Sakaq, në stol në ndeshjen e radhës mund të jetë edhe Gjergji Kote.
PANORAMASPORT.AL













