KATEGORIA E DYTË/ Flamurtari ndalet nga Tepelena, Labëria “poker” në transfertë Memaliajt. (SKEDAT DHE RENDITJA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 14:39

KATEGORIA E DYTË/ Flamurtari ndalet nga Tepelena, Labëria “poker” në transfertë Memaliajt. (SKEDAT DHE RENDITJA E PLOTË)

Mbyllet pa fitues në Vlorë. Tepelena “shtang” Flamurtarin, duke i marrë një pikë. Edhe pse ishte ndeshja e parë në shtëpi, vlonjatëve nuk u kanë dalë si duhet llogaritë. Ndonëse gjetën avantazhin shpejt me penalltinë e kthyer në gol nga Diamanti, nuk ditën që ta mbronin. Ishte Lushkaj që i “fiku”, me atë rrjetë në të 60-ën. Lojtarët e Tepelenës festojnë në dhomat e zhveshjes. Është trajneri Ilir Selimi që ua bën edhe një foto, ndërsa u premton: “Vazhdoni kështu, fitoni se do të keni premio”.

FLAMURTARI

NDESHJA – Loja nis thuajse me rrjetë. Një ndërhyrje në zonë ndaj Diamantit dhe kryesori tregon pikën e bardhë. E ekzekuton vetë sulmuesi dhe nuk fal që në të 6- ën minutë. Vlonjatët e dinë që u duhet edhe një tjetër gol, ndaj shtojnë sulmet. Në minutën e 33-të janë miqtë që shfaqen rrezikshëm, por Gjyla pengohet nga Qarri. Pretendohet penallti, por ndryshe mendon gjyqtari. Lushnjari bën protagonistin edhe pak minuta më vonë. Këtë herë shërben për Mezinin, por goditja e këtij të fundit është tepër e lehtë. E njëjta gjë ndodh edhe me Liçajn, pas harkimit që erdhi nga këndi prej Olivierës dhe për pasojë kjo pjesë mbyllet pa ndryshime në rezultat.

Qysh në startin e së dytës, Flamurtari shton presingun. Balla shërben për Sallakun, që arrin të depërtojë në zonë dhe gjuan, por pa rrezikuar. Në minutën e 57-të është Oliviera që provon, por Avrami është i pakalueshëm. Dhe kur nuk shënon, pëson. I futur në lojë në minutën e 56- të, Lushkaj do të shënonte katër minuta më vonë. Fillimisht është Mezini që vrapon i vetëm drejt Moçkës me një top të marrë nga mesi i fushës, por portieri vlonjat del dhe pret saktë. Por, topi më pas përplaset te këmbët e Lushkajt që me një gjuajte të fortë barazon shifrat në 1-1. Tentojnë të besuarit e Resulit për të rigjetur avantazhin, por më kot. Liçaj, Gocaj, Oliviera nuk e mposhtin dot Avramin deri në fund.

FL

Memaliaj nuk ia del as ndaj Labërisë. Pasi u mund nga Flamurtari, një tjetër ekip nga Vlora i merr trepikëshin në shtëpi. Në stadiumin “Karafil Çaushi” janë mundur me shifrat 0-4, duke u ngujuar në fundin e tabelës pas 180 minutash lojë.

Duhet thënë që skuadra e Zhupës u përpoq, madje goditi edhe shtyllën, e megjithatë goli i nderit nuk erdhi kurrë. Loja ka nisur shtruar dhe skuadrat mundohen që të fitojnë metra. Labët janë disi më kërkues dhe në të 21-ën shpërblehen. Dhrami shfrytëzon një kombinim me Sinajn dhe përballë portierit, nuk fal për 0-1.

Vendësit mundohen që të barazojnë me Goron, por portieri rus i miqve bën “bllokadë” dhe në pushim shkohet me këtë rezultat. E dyta nis “zjarr” për skuadrën e Rustemit, që shfaqet dukshëm më agresive. Kur kronometri shënonte të 60-ën, realizojnë për 0-2. Nuk u lodhën shumë, në fakt, pasi A.Caushi në tentativë për të kthyer një top te portieri Spahiu, e dënon në rrjetë. As një minutë dhe vjen i treti, këtë herë me protagonist Kamberajn.

Pak ditë më parë ndëshkoi Vllazninë në Kupë dhe këtë herë ia doli në Memaliaj, duke ekzekutuar një goditje perfekte dënimi. Memaliaj mundohet të ngrejë kokë, por nuk ka as fatin me vete. Begës i mohohet rrjeta në të 73-ën prej shtyllës, ndërsa Mamaj me E.Bilajn nuk kanë shënjestër. Atë që s’e bëjnë vendësit, e realizon Haruni i futur nga stoli për Labërinë, duke vulosur “pokerin”.

MEM

KAT

ERMAL SIKA / ROLAND SULI – PANORAMASPORT.AL