Kasalla optimist: Vora brenda objektivave, i bindur se e kapim “Final 4”
Vora ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm, këtë herë ndaj Tiranës, duke kapur mesin e tabelës dhe duke i dhënë ekipit shansin për të luftuar më lart, drejt zonës “Final 4”. Kjo fitore u prit me optimizëm nga stafi teknik, që konsideron ndërprerjen e kampionatit si një periudhë të vlefshme për rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar dhe për të ndërtuar një formacion të plotë, pasi deri tani trajneri Bellaj nuk ka mundur të zhvillojë asnjëherë skuadrën sipas dëshirës së tij për shkak të mungesave.

Këtë periudhë, Bellaj po zhvillon stërvitje intensive me dy formacione, duke përgatitur fillimisht skuadrën për ndeshjen e Kupës ndaj Sopotit, ndërsa lojtarët po punojnë intensivisht për rikuperimin fizik dhe përgatitjen taktike. Për stafin dhe drejtuesit e klubit, kjo periudhë është e rëndësishme për të siguruar që skuadra të vijojë me ritmin pozitiv të javëve të fundit dhe të mos humbasë ecurinë që ka fituar në këtë fillim sezoni. Futbollisti që vulosi fitoren e bukur dhe bindëse ndaj Tiranës ishte 23-vjeçari nga Fushë-Kruja, Irgi Kasalla, i cili mori të gjithë besimin e trajnerit Bellaj për të ekzekutuar penalltinë dhe e realizoi me siguri, duke shënuar golin e dytë dhe duke vulosur rezultatin në shifrat 2-0.
Për “Panorama Sport”, Kasalla u shpreh i lumtur për paraqitjen e tij, si dhe tregoi synimin e vorakëve në elitë. “Jam shumë i lumtur që trajneri më besoi këtë penallti. Nuk u emocionova, përkundrazi më frymëzoi që të godisja topin fort dhe në qendër, aty ku portieri nuk mund të reagojë. Dua ta falënderoj trajnerin Bellaj që më dha mundësinë të zhbllokohem dhe të shënoj golin e parë në Superligë. Vora është brenda objektivave të saj dhe jam plotësisht i bindur që do të arrijmë zonën ‘Final 4’.
Kjo bindje vjen edhe pse kemi pasur disa faktorë kundër si dëmtime, mungesa dhe asnjë ndeshje në shtëpi. Megjithatë kemi treguar zotësi dhe kurajo, duke zhvilluar ndeshje të bukura dhe rezultative. Shpresojmë që në javët e ardhshme, me rikuperimin e lojtarëve dhe përfitimin e fushës tonë, Vora do të bëhet edhe më e fortë”, deklaroi Kasalla. Me këtë fitore dhe me besimin e lojtarëve si Kasalla, Vora duket e përgatitur për të sfiduar ekipet e tjera dhe për të vijuar rrugëtimin drejt objektivit të saj, duke synuar një vend në zonën e nderuar “Final 4”.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













