Kampionia e së Parës nis rrugëtimin në elitë. Marrin fund pushimet, Vora zhvendoset në Shijak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2025 | 17:01

Kampionia e së Parës nis rrugëtimin në elitë. Marrin fund pushimet, Vora zhvendoset në Shijak

Kampionia e Kategorisë së Parë, nga sot nis rrigëtimin historik në Superiore. Vora, sot në orën 18:00, zbret në fushën e stadiumit “Tofik Jashari” të Shijakut, për të lënë mënjanë pushimet e për t’u përgatitur seriozisht për sezonin e ri.

vora kampion

Spostimi nga Vora bëhet për shkak të punimeve që po kryen në stadium, ku po rikonstruktohen pjesët e papërfunduara. Skuadra, nën drejtimin e trajnerit Arian Bellai, do të nisë puën intensive. Më herët ishte njoftuar, që faza përgatitore do të niste më 1 korrik, por klubi nuk ka deklaruar axhendën e kësaj faze dhe se ku do të zhvillohet ajo, në Shqipëri, apo jashtë vendit. Fillimisht, skuadra do të zhvillojë disa seanca stërvitore në Shijak, ku më pas do t’u nënshtrohet kushteve më të mira në një fazë grumbulluese. Në dispozicion të trajnerit Bellai, deri më tani janë të paktën 8 zyrtarizime, që tashmë dihen. 5 janë afrimet e fundit të Vorës: Harizaj, Repaj, Zuna, Luiz Felipe dhe Karrica.

Ndërsa lojtarët që kanë rinovuar, janë tre: Xhuljo Tabaku, Jurgen Vrapi dhe Mario Barjamaj. Gjithsesi, pritet të jenë edhe të tjerë me kontrata të rinovuar, që do të shihen sot në fushë. Skuadra e Vorës ka larguar 8 futbollistë nga grupi që e ngjiti në Kategorinë Superiore. Ata janë: Jata, Ismaili, Lika, Ntepe, Aneni, Skënderi, Duka e Imami. Skuadra e Vorës po kërkon që të ndërtojë një grup model, në mënyrë që të konkurrojë denjësisht me elitarët. Por ajo do të njihet vetëm më 23 gusht, atëherë kur është planifikuar edhe ndeshja e parë zyrtare në elitë. E paqartë mbetet e ardhmja e golashënueist më të mirë të sezonit të fundit, sulmuesit Manfredas Ruzgis. Në Vorë e presin lituanezin, por gjasat janë që ai të zgjedhë një kampionat më të fortë, pasi kjo është dëshira që ai ka shprehur në fund të prillit.

 

Vora 2025-2026, afrime, largime, rinovime

Afrime (5): Romeo Harizaj (portier), Serjan Repaj (qendërmbrojtës i djathtë), Henri Zuna (mbrojtësi i djathtë), Luiz Felipe (sulmues), Bernard Karrica (sulmues);

Rinovime (3): Xhuljo Tabaku (mesfushor qendre), Jurgen Vrapi (mbrojtës i majtë), Mario Barjamaj (mesfushor i djathtë)

Largime (8): Arbër Jata, Ysni Ismaili, Gresild Lika, Odirah Ntepe, Evans Aneni, Ermir Skënderi, Nikolin Duka, Eni Imami.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL