Kampionati kombëtar i boksit, Vllaznia fiton titullin e 27-të
Për tri ditë me radhë në Vlorë u zhvillua Kampionati Kombëtar i Boksit, me finalet që u mbajtën paraditen e së dielës. 56 boksierë nga dhjetë ekipe të Shqipërisë matën forcat në këtë aktivitet. Flamurtari në finale u përfaqësua me 5 pesha, Vllaznia me 4, ndërsa Tirana, Teuta dhe ekipi Gladiator me nga 2 pesha.

Ariol Zeneli i Flamurtarit u shpall boksieri më i mirë i kampionatit, ndërsa Vllaznia konfirmon superfuqinë e saj në rang ekipor, duke fituar titullin e 27-të. Një titull i ndarë me diferenca shumë të ngushta mes shkodranëve dhe Flamurtarit, i vendosur vetëm nga boksierët e vendeve të treta, pasi Vllaznia dhe vlonjatët kishin numër të barabartë kampionësh dhe nënkampionësh. Kampionati fillimisht ishte planifikuar që të zhvillohej në Durrës por bashkia e këtij qyteti nuk ishte gati, duke bërë që një ditë përpara nisjes së eventit, gjithçka të merrej përsipër nga Bashkia e Vlorës dhe Klubi Shumësportësh “Flamurtari”, duke e organizuar kështu në kohë rekord.
Përpara nisjes së ndeshjeve finale është zhvilluar ceremonia e dhënies së dy certifikatave të mirënjohjes për dy personalitete si shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe kontributin në këtë sport. Certifikatat u akorduan për trajnerin e ekipit të boksit Flamurtari, Gëzim Zeneli si dhe për ish-sekretarin e Federatës Shqiptarë të Boksit, Xhevat Muhedini. Motivacioni i nderimit të personaliteteve ishte: “Me pasionin dhe profesionalizmin e tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin e boksit dhe në formimin e brezave të rinj”.
KALIVOPULLI – Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli për “Panorama Sport”, deklaroi se kampionati ishte një aktivitet me rivalitet të lartë. “Dua që të falenderoj Bashkinë e Vlorës, drejtoren Elona Hasanaj dhe trajnerin tonë, Gëzim Zeneli. Është një aktivitet nga më të dhenjtë që është bërë ndonjëherë në vitet e fundit, i organizuar në kohë rekord nga Bashkia e Vlorës. Ka patur rivalitet dhe ndeshje shumë të luftuara. Ne duhet të krahasohemi tani me shtet fqinj dhe në Shqipëri kemi edhe një boksiere femër. Ajo është me origjinë nga Vlora që banin në Tiranë dhe që është shpallur e treta në Europë. Është një rezultat jashtëzakonisht i mirë për boksin shqiptar. Ajo sot (dje) është e pranishme në këtë aktivitet, shpallet kampione edhe pse nuk ka kundështare, por ishte e gatshme për të pritur kundërshtaren e saj”, u shpreh ndër të tjera Kalivopulli.
ZENELI – Trajneri i Flamurtarit Gëzim Zeneli u shpreh i kënaqur nga organizimi i kampionatit dhe rezultate e boksierëve të tij. “Ishte një punë e mirë që është bërë nga Klubi Shumëportësh Flamurtari dhe Bashkia e Vlorës. Është aktivitet i fortë, pasi jemi me rezultate të ngushta. Jemi shumë të kënaqur nga rezultate që arritëm”, deklaron Zeneli, i cili ndalet edhe tek vlerësimi personal që i bëri federata. “Unë jam vlerësuar nga presidenti dhe i kam marrë të gjitha medaljet. Jam i kënaqur. Është një respekt për punën që kemi bërë”, përfundon trajneri vlonjat. Në tabelë pasqyrohen të gjithë kampionët sipas peshave dhe çmimet individuale të kampionatit kombëtar.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













