Kampionati Botëror i Boksit, Ariol Zeneli dhe Alban Beqiri e fillojnë mbarë turneun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2025 | 21:46

Kampionati Botëror i Boksit, Ariol Zeneli dhe Alban Beqiri e fillojnë mbarë turneun

Kombëtarja shqiptare e boksit e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme Kampionatin Botëror Elite që po zhvillohet në Dubai, kompeticion që ka startuar më 2 dhjetor dhe që do të mbyllem më datë 13 dhjetor. Në duelet e djeshme, boksierët kuqezi zhvilluan dy ndeshje dhe arritën t’i fitojnë të dyja, duke dhënë sinjalet e para të një forme shumë premtuese.

ALBAN BEQIRI

I pari që u ngjit në ring ishte Ariol Zeneli në kategorinë e peshave 60 kg. Boksieri ynë zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer ndaj kundërshtarit tajlandez Thichakom Srisakul, duke e dominuar me autoritet të plotë të tre raundet. Zeneli u shpall fitues me rezultatin e pastër 5-0, duke treguar qartazi se është në formë të lartë dhe gati për sfidat e radhës. Pas Zenelit, në ring u ngjit Alban Beqiri, medalisti i parë dhe i vetëm në histori për Shqipërinë në një Kampionat Botërori boksi për të rritur. Beqiri zhvilloi duelin e parë në kategorinë 71 kg, ku u përball me suedezin Adolph Sylva.

Ndeshja u ndërpre në fund të raundit të dytë nga mjeku i aktivitetit, pasi Beqiri pësoi një goditje të parregullt me bërryl nga kundërshtari që i shkaktoi një çarje në pjesën e kokës. Megjithatë, duke qenë se kampioni kuqezi e kishte fituar raundin e parë dhe po dominonte edhe të dytin, si dhe për faktin se goditja ishte e qëllimshme, arbitrat e shpallën atë fitues të sfidës.

Kështu Shqipëria regjistroi dy triumfe në Kampionatin Botëror Elite. Ekipi kombëtar që përfaqëson Shqipërinë në Kampionatin Botëror Elite përbëhet nga: Ardit Murja (-57 kg), Ariol Zeneli (-60 kg), Ani Haxhillari (- 63.5 kg), Alban Beqiri (-71 kg). Ndërsa stafi teknik përbëhet nga Lazarin Vila, Gëzim Zeneli dhe Enton Kikrri.

PANORAMASPORT.AL