Kampion me Vllazninë dhe Partizanin, ish-trajneri: Titulli rikthehet në Shkodër pas 25 viteve, nuk ka nevojë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 21:25

Kampion me Vllazninë dhe Partizanin, ish-trajneri: Titulli rikthehet në Shkodër pas 25 viteve, nuk ka nevojë për…

Avenir Dani, një prej kampionëve të vendit me Vllazninë, por edhe Partizanin ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-portieri shkodran është ndalur pikërisht tek kuqeblutë dhe ecuria e tyre.

Screenshot 2026-04-17 212507

Duke theksuar se shikon këtë sezon si të duhurin për të rikthyer titullin kampion në Shkodër. Sipas tij, Vllaznia ka një favor që ka ndërtuar “dy” ekipe, duke qenë e kompletuar dhe dubluar në çdo repart. Teksa ndalet edhe te porta e kuqebluve e po ashtu rëndësia e dy figurave si Martini dhe Sinani nën drejtimin e skuadrës.

Dani, si është dukur ecuria e Vllaznisë në periudhën e fundit? Ecuria e duhur që duhet të ketë një ekip që synon titullin kampion. Skuadra po shprehet siç duhet në fushën e lojës, duke qenë konçize në atë çfarë kërkon e duke marrë pikët që duhen. Vijon të jetë me meritë në krye të kampionatit dhe duhet të mbajë këtë ritëm sepse bëhet garë e ashpër në këto javë të fundit ku edhe kalendari i Vllaznisë është i vështirë deri në javën e fundit. Me skuadra që luftojnë për titull, por edhe mbijetesë, ndaj duhet përqendrim maksimal në çdo 90 minutësh.

Kërkohet ndoshta një lojë më e “bukur” nga ana e tifozerisë shkodrane? Është e drejtë kjo që tifozeria, por edhe historia kërkon një ekip që te shfaqë një lojë të kënaqshme. Por, Vllaznia është racionale në maksimum gjatë kësaj periudhe, duke rrezikuar pak në portën e saj e duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ka në portat kundërshtare. Personalisht mendoj se po merr ato që kanë rëndësi, pikët. Dhe loja e bukur kalon në plan të dytë në këto momente të sezonit.

Ka diçka që shikon tek shkodranët që bën diferencën me rivalët e tjerë? Po, shikoj një ekip shumë të plotësuar dhe kjo që nga fillimi i sezonit. Vllaznia ka “dy” skuadra në opinionin tim, ka mundësi dhe role të dubluara. Ndaj edhe Martinit dhe stafit të tij nuk i “dhemb” koka për të zgjedhur elementë. Pasi aty ka shumë futbollistë cilësorë që mund të japin kontributin njëlloj në fushën e lojës, qofshin ose jo titullarë. Këtu e shikoj Vllazninë në avantazh ndaj kundërshtarëve të saj në këtë sezon.

Cili repart ka bërë më mirë sipas jush deri në këtë pikë të edicionit?

Nuk mund të ndaj reparte të veçanta sepse nëse ekipi është në krye është meritë e të gjithëve. Vllaznia ka mbrojtjen më të mirë në kampionat dhe së bashku me portën jep shumë siguri. Po ashtu ka sulmin më të mirë me një lider si Balaj, që është një vlerë e skuadrës. E po ashtu mesfusha këtë sezon është përmirësuar goxha në krahasim me të shkuarën. Ndaj gjitha këto faktorë bëjnë që ekipi të ketë pasur këtë ecuri kaq pozitive dhe të jetë në krye nga java e parë e deri në momentin aktual të sezonit.

Po porta në veçanti, si është dukur në syrin tënd? E thashë që Vllaznia ka dy ekipe dhe si rrjedhojë ka dy portierë shumë cilësorë. Pohls u pa me dyshime në fillim, por ai shfrytëzoi në maksimum momentin kur Jukaj u dëmtua. Dhe performancat e tij kanë qenë shumë të mira dhe me meritë është titullar. Por, edhe Jukaj ka dhënë siguri kur është aktivizuar, duke mos pasur aspak diferenca me portierin gjerman. Pra, porta fal siguri te Vllaznia dhe kjo është shumë e rëndësishme për një skuadër që luan për kampion sepse e di që shpatullat i ke të “ngrohta” nga portierët.

Sa ndikon në skuadër apo edhe opinion drejtimi i dy emrave si Martini dhe Sinani i Vllaznisë? Me Martinin kam bashkëpunuar në të shkuarën, ai si trajner i parë dhe unë si trajner portierësh tek Vllaznia. Po ashtu Sinani ishte futbollist në kohën kur unë isha trajner dhe janë dy djem që i njoh shumë mirë. E kam thënë dhe e them, Vllaznia s’ka nevojë për trajnerë apo drejtues të huaj, duhet të drejtohet nga shkodranët dhe faktet po e tregojnë se me ata arrihet suksesi. Për çdo kënd aty është kënaqësi, por edhe përgjegjësi akoma më tepër të drejtohen dhe këshillohen nga kjo dyshe. Që ka dhënë aq shumë për Vllazninë dhe që di mirë mentalitetin e klubit, por edhe të qytetit dhe çfarë kërkon ai.

E besoni se ky është sezoni i duhur për rikthimin e titullit kampion në Shkodër? Patjetër që e besoj në maksimum dhe kjo jo për eufori apo faktin se jam shkodran dhe që kam dhënë kontribut për Vllazninë. Por, për gjitha arsyet që përmenda, që shoh një ekip të kompletuar dhe përqendruar. Duket se tashmë janë pjekur gjitha kushtet që Vllaznia të jetë kampione pas 25 vitesh e duhet që ky të jetë sezoni i suksesit në përfundimin e tij në muajin maj.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL