Kalendar i ngjeshur, te Dinamo luajnë pesë ndeshje në 3 javë
Pas pushimeve të fundvitit, Dinamon e pret një kalendar i ngjeshur sidomos në muajin janar. Blutë do të rikthehen në fushë në datën 10 për t’u përballur me Besën në kuadër të Kupës së Shqipërisë.

Duke parë momentin e Besës, natyrisht që për Dinamon nuk është një ndeshje komode paçka se në letër duket e thjeshtë për t’u kaluar. Në kampin blu, janë të ndërgjegjshëm që çdo ndeshje është e vështirë, megjithatë Daja do të duhet të mendojë shumë edhe për grupin e futbollistëve. Ngjeshja e kalendarit, do të rrisë shumë mundësinë e dëmtimeve ose lodhjeve, ku në javët e para të vitit, Dinamon e presin ndeshje direkte për zonën e “Final 4”.
Pas Besës, blutë do të udhëtojnë drejt Durrësit ku do të kenë sfidën me Teutën në datën 15 ndërkohë që vetëm 4 ditë më vonë, Dinamo do të presë në shtëpi skuadrën e Vllaznisë. Në datën 25, Dinamo do të përballet me Elbasanin në transfertë, ndërkohë që muajin e mbyll në datën 31 janar, ku në shtëpi do të presë Bylisin, skuadër që i ka marrë 2 pikë këtë sezon. Në vazhdim, kalendari do të rrallohet, pasi këtë herë, ndikojnë edhe pushimet e Kupa e Shqipërisë.
PANORAMASPORT.AL













