Janë 5 lojtarë për 3 vende te Partizani, Kërnaja tani ka luksin të zgjedhë në mesfushë
Partizani vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Vllaznisë, të shtunën në orën 17:00 në “Arenën e Demave”.

Trajneri Oltijon Kërnaja shpreson të ketë grupin e plotë në dispozicion teksa tashmë ekipit i janë bashkuar edhe dy lojtarët që ishin të grumbulluar me kombëtaren si Rrok Toma dhe Vusal Isgandarli. Ky i fundit vjen nga suksesi me Azerbaxhanin dhe është në një moment të mirë personal sidomos në aspektin psikologjik, që padyshim mund t’i vijë në ndihmë edhe kryeqytetasve.
Kujtojmë se 30- vjeçari ishte një nga lojtarët më të dalluar për Partizanin në fazën e tretë të kampionatit, por një dëmtim e mbajti larg fushave në dy ndeshjet e para të fazës së katërt. Megjithatë, ajo periudhë është “hedhur pas krahëve” nga Isgandarli që tashmë duket gati të marrë sërish pronësinë e krahut të majtë në sulm. Nga ana tjetër, pjesa tjetër e grupit duket e shëndetshme teksa pauza i ka dhënë mundësinë lojtarëve për të rikuperuar dhe për të qenë në maksimum. Kujtojmë se në këtë ndeshje në radhët e Partizanit nuk ka asnjë të pezulluar për arsye kartonësh teksa do të rikthehet edhe Arafat Dumbia që i bashkohet alternativave të tjera në mesfushë si Qaka, Hjuman, Murataj e Ismaili, pesë emra në total që garojnë për tre vende në këtë repart.
Ndërkohë, sa i takon repartit të mbrojtjes nuk ka dilema, ndërsa në sulm pritet të vendoset në ditët e fundit se cili do të startojë nga minuta e parë mes Tomës dhe Skukës. Sakaq, dihet pjesa e lojtarëve të dëmtuar që ende mbeten jashtë si Preka, Marku apo Keko që tashmë ka nisur të marrë më shumë ngarkesa, por nuk do të rrezikohet nga stafi mjekësor.
Sfida ndaj Vllaznisë merr një rëndësi të veçantë për vetë faktin se Partizani ende nuk i ka mposhtur shkodranët në këtë sezon duke regjistruar dy humbje dhe një barazim. Një fitore sigurisht që do të kishte një bonus të madh për të kuqtë jo vetëm sa i takon pikëve dhe situatës në klaisifikim, por edhe për aspektin psikologjik duke i garantuar ekipit më shumë besim se mund të merrte diçka më shumë se sa vetëm pjesëmarrja në “Final Four” këtë sezon.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













