Gvozdenoviç me plan të qartë për Elbasanin: Merkato e mbyllur, luftojmë fort për Europën
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur për RTSH. Nga Greqia, ku po zhvillon fazën përgatitore skuadra e tij, ai tha se gjërat janë në rrugën e duhur.

“Gjithçka po shkon mirë. Kemi ardhur në datën 21 korrik dhe do të qëndrojmë deri në 8 gusht. Kemi zhvilluar dy miqësore deri tani dhe jam i kënaqur me gjendjen e skuadrës. Kemi afruar 5 lojtarë deri tani. Merkato është e hapur deri në fund të gushtit, por mendoj se skuadra është e plotësuar. Nëse do të ketë ndonjë largim, atëherë do të ndërhyjmë në merkato, për të bërë ndonjë afrim. Kemi plotësuar të gjitha repartet ku kishim nevojë dhe jam shumë i kënaqur me merkaton.
Objektivat e Elbasanit në sezonin e ri? Do të luftojmë fort për të arritur Europën. Ne jemi një klub i madh dhe do të tentojmë një vend në Kupat e Europës në sezonin e ri. Do të jetë një garë e fortë, sepse janë shumë skuadra që kanë pretendime të mëdha këtë sezon”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Elbasanit.
Ndërkohë që hyrjet në repartin ofensiv kanë qenë të shumta, pritet që Elbasani të bëjë edhe disa lëvizje në dalje gjatë javëve në vijim. Burime pranë klubit bëjnë me dije se një ose dy lojtarë mund të largohen, për shkak se kanë një organikë të ngjeshur në sulm. Konkurrenca e lartë në fazën sulmuese, por edhe profili që kërkohet për nivelin e elitës, do të çojë detyrimisht në sakrifikimin e disa emrave, për të ruajtur ekuilibrin e grupit dhe për të shmangur mbingarkesën në stërvitje. Gjithsesi, për momentin skuadra është duke vijuar përgatitjet me grupin e plotë në Greqi.
PANORAMASPORT.AL













