Gjoka: Shohim veten, Skënderbeu nuk komenton deklarata të jashtme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2025 | 8:27

Gjoka: Shohim veten, Skënderbeu nuk komenton deklarata të jashtme

Skënderbeu luan një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni në fundjavë. Transferta përballë Laçit duket se është një pikë e rëndësishme e këtij sezoni që mund të përcaktojë shumëçka sa i përket ecurisë së dy ekipeve në luftën për mbijetesë.Ernest-Gjoka-1-1024x566Por përtej gjithçkaje, ngacmimeve të jashtme dhe presionit të përballjes direkte duket se në kampin korçar gjithçka po merret me qetësinë më të madhe të një takimi të rëndësishëm, por jo përcaktues. I këtij mendimi është vetë trajnerin bardhëkuq Ernest Gjoka, i cili, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe mbi të gjitha kërkesat e korçarëve në një prej katër finaleve të mbetura deri në fund të sezonit.

“Luajmë një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari direkt dhe një ekipi me shumë cilësi dhe grinte në lojën e tij. Është një prej katër finaleve të fundit të sezonit dhe kjo i shton më shumë vlerat e këtij takimi, por nuk dua ta quaj përcaktuese këtë takim. Natyrisht, kur jemi në fund të sezonit, çdo ndeshje ka një rëndësi shumë të veçantë dhe kjo e bën këtë takim të rëndësishëm. Ne shohim vetëm ndeshjen e radhës dhe nuk duam të ndalemi në shumë takime njëherazi. Kemi punuar gjatë gjithë javës vetëm për këtë takim dhe duam që të marrim më të mirën nga lojtarët tanë në këtë ndeshje. Laçi është një skuadër cilësore dhe e fortë me një grup shumë cilësor lojtarësh, ndaj e respektojmë në maksimum. Por, nga ana tjetër, shohim vetëm veten tonë dhe ato që janë primare për ecurinë e Skënderbeut”, theksoi fillimisht Gjoka.

Kryepankina korçare u ndal më pas edhe tek ecuria e javëve të fundit. “Kur një ekip kalon një moment të vështirë për shkak të rezultateve është në një presion të madh nga jashtë, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt te futbollistët. Tani mund të them se ekipi ka një moment të mirë dhe mund të luajë pa pasur parasysh faktin e ngarkesës psikologjike, por gjithmonë duke qenë i përgjegjshëm për atë që përfaqëson. Pasi kjo është një pjesë e rrugëtimit tonë”, vijoi ai.

THUMBIMET: I pyetur për “kunjat” e hedhura para ndeshjes nga ana e klubit bardhezi, të paktën në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Gjoka nuk ka dashur të polemizojë, por ka kaluar me një përgjigje të prerë gjithçka.

“Ju e dini shumë mirë si një media e vjetër dhe shumë e rëndësishme në vend që Skënderbeu asnjëherë nuk ka komentuar deklarata të jashtme, që nuk kanë të bëjnë me klubin. Ne shohim vetëm vetën tonë dhe përgjigjemi vetëm për atë që bëjmë ne në fushë. Kështu që edhe në ndeshjen e radhës do të mundohemi të japim maksimumin për të parë në fund se çfarë do të marrim nga ky takim”, mbylli prononcimin Gjoka.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL