Futbollisti i Vorës, Zuna: E nisim vitin me fitore, mundim dy skuadrat e kryeqytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2025 | 13:49

Futbollisti i Vorës, Zuna: E nisim vitin me fitore, mundim dy skuadrat e kryeqytetit

Henri Zuna ishte një prej lojtarëve, që u kthye pas huazimit në Kategorinë e Parë, por ai nuk mundi të udhëtonte gjatë verës në Ohër për fazën përgatitore me ekipin e Partizanit, pasi kishte dalë jashtë llogarive të të kuqve.zunaZuna menjëherë nuk vonoi për të gjetur skuadër, duke firmosur për Vorën. Që nga ajo kohë mbrojtësi i djathtë i Vorës është bërë i pazëvendësueshëm, duke kontribuar maksimalisht për këtë skuadër debutuese të Superiores e duke përballuar me plot sukses 15 ndeshje të aktivizuara gjatë këtij sezoni. Ai mban numrin 2 dhe ka luajtur 1052 minuta, madje ka shënuar dhe një gol kundër Tiranës, në javën e dytë të kampionatit, duke përforcuar edhe më shumë pozitat e tij tek Vora në këtë rol. Henri Zuna kërkon, që ta nisë pjesën e dytë të kampionatit me fitore ndaj Partizanit dhe këtë herë kërkon që ti shënojë edhe të kuqve një gol.

Gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama Sport”, ai do të zbulojë dëshirat e tij.

“Triumf për t’ju afruar dhe Partizanit, skuadra që ne ndjekim në renditje. Vora këtë sezon ka synime të qarta e për këtë ne e dimë se ç’po bëjmë. Shkallët e renditjes do të nisin të ringjiten, duke mundur fillimisht Partizanin e më pas të fitojmë kundër Tiranës, së cilës ka kemi marrë dorën. Pozicionimi në vendin e 7-të është një arritje e suksesshme për një klub debutues si Vora, që ka zhvilluar të gjitha ndeshjet në transfertë. Pavarësisht se në ekipet profesioniste nuk ka shumë rëndësi fusha se ku luan, por të mos luash asnjë ndeshje pranë shtëpisë është shumë e vështirë për një skuadër debutuese. Tashmë kaluam periudhën më të vështirë që kemi pasur gjatë këtij sezoni. Rikthehemi për herë të parë në shtëpi, kundër Partizanit, një skuadër që unë e kam për zemër, por këtë herë dua që unë t’i shënoj një gol, ashtu sikurse kam bërë me Tiranën. Jam plotësisht i bindur se brenda dy javëve të para ne ngjisim dy shkallë në renditje dhe futemi në garë për zonën “play off”.

Gjashtë pikë për ne do të jenë fillimi i një aventure të re të skuadrës tonë, për të qenë mes 4 skuadrave më të mira të vendit. Kur mendon se pothuajse e gjithë faza e parë do të luhet në Vorë, e skuadra do të synojë të marrë maksimumin e pikëve kjo gjë, është plotësisht e arritshme ku faza e katër do të tregojë më shumë kujdes nga ana jonë për të ruajtur pozitat që ne kërkojmë”, ka përfunduar prononcimin e tij mbrojtësi krahut, Zuna.

A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL