“Futbolli shqiptar po ecën përpara, shumë shpejt do kapim grupet”, Bernard Berisha zbulon prapaskenat e transferimit te Dinamo: Nuk erdha për lekë…
Bernard Berisha, foli pas barazimit 1 me 1 në duelin e kthimit ndaj Jagiellonies. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “Supersport”, ylli shqiptar i Kosovës, tregoi edhe prapaskenat e transferimit te Dinamo, duke u shprehur:

“Dua të falenderoj gjithë çunat për mikpritjen. Dajës ia njoh mentalitetin. Jam munduar të jap më të mirën, sot fati nuk ishte me ne. Në ndeshjen e parë duhet të bënim më mirë. Por ky është futbolli. Nëse vazhdojmë kështu na pret një e ardhme e ndritur.
Përgatitjet fizike i kanë më të mira skuadrat Europiane, ne duhet të përmirësohemi në nivel. Futbolli shqiptar po ecën përpara, duhet një punë më e madhe. Shumë shpejt do arrijmë grupet e Ligës së Konferencës.
Akoma nuk kam luajtur në kampionatin shqiptar, kjo është ndeshja e dytë, te Skënderbeu ka qenë niveli shumë i lartë. Me grupin që kemi, ky është vetëm fillimi. Na pret një e ardhme e sigurt.
Nuk e caktoj dot sa do luaj futboll, kam kontratë 2-vjeccare. Me drejtuesit jemi marrë vesh shumë mirë. Në momentin që nuk do të jemi të kënaqur, mund të ndahemi si vëllezër. Jam i sigurt me lojtarët që ka Dinamo dhe me Ilir Dajën, na pret një e ardhme e mirë.
Kisha shumë oferta nga Turqia dhe vendet e tjera, dëshira ime ishte të rri afër familjes. Për shkak se Rusia nuk e njeh pasaportën e Kosovës, atje isha vetëm me bashkëshorten që ka pasaportë zvicerane. Mungesa e prindërve ishte e madhe. Kisha ofertë edhe nga Kosova, kur u takova me presidentin, e pashë se dëshira e tij ishte e madhe. Nuk folëm për lekë, ja zgjata dorën. Nuk erdha për lekë këtu, erdha për të punuar me profesor Dajën. Ambicia e presidentit është shumë e madhe.
Do shënojmë shumë. Për mua qëllimi kryesor është të fitojmë ndeshjet. Duhet të luajmë në grup. Besoj se do ia arrijmë qëllimeve si klub”, u shpreh Bernard Berisha.
PANORAMASPORT.AL













