Formë optimale e fokus maksimal, Bylisi synon suksesin në kryeqytet
Bylisi është fokusuar te sfida e radhës, e para në transfertë, ku në fundjavë (të dielën) do të përballet me Dinamon në kryeqytet. Mallakastriotët, në këtë duel, po punojnë që të shfaqen si një skuadër kompakte, për më tepër që do të jenë të plotë në transfertën e parë të këtij sezoni. Trajneri Mirel Josa ka punuar shumë psikologjikisht me skuadrën, por edhe në aspektin tekniko-taktik.

Në Ballsh do të lëvizë të gjithë gurët që të mos humbasin terren në tabelën e renditjes. Bylisi edhe në sezonin e shkuar, pas javës së tretë, kishte 4 pikë, madje skuadra kishte mundur Dinamon në javën e dytë dhe menjëherë barazoi në Laç në javën e tretë. Bylisi e nisi sezonin me humbje në Durrës, në ndeshjen e parë. Mallakastriotët tashmë duan të rikuperojnë pikët, por e kanë të qartë se kanë një kalendar mjaft delikat, me sfida të vështira si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.
Në Ballsh duan të bëjnë autokritikë pas ndeshjes së radhës në transfertë me Dinamon, por skuadra duhet më parë të korrigjojë shënjestrën. Tri gola në tri takime të luajtura janë shënuar vetëm në një ndeshje, kurse në sfidat e javës së parë dhe të tretë sulmi ka qenë “thatë”. Pra, tashmë mbetet për t’u parë reagimi, dhe ajo që është më kryesorja, lojtarët me eksperiencë duhet të udhëheqin skuadrën drejt suksesit. Ajo që bie në sy është serioziteti dhe angazhimi i të gjitha hallkave në klub.
Presidenca, bashkë me stafin, kanë vendosur që ta grumbullojnë ekipin para ndeshjes me Dinamon, duke qenë se është transferta e parë, por edhe me një skuadër mjaft të fortë dhe me kualitet. Ndërkohë, janë duke kapur formën optimale si Peralta, ashtu edhe Rabiu, Ëankeëai apo dhe Sulovari, për të qenë edhe ata gati dhe forcë e shtuar për trajnerin Mirel Josa dhe mallakastriotët. Ndërkohë që gara ka hyrë në fazën kulminante, sepse edhe ekipet po “marrin rrugë” drejt synimeve të tyre.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













