Flamurtari i jep dorën Garsias, ja kandidatët për stolin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2025 | 22:18

Flamurtari i jep dorën Garsias, ja kandidatët për stolin vlonjat

Karlos Garsia nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta pranë klubit se vendimi për shkarkimin e tij tashmë është marrë dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Me rikthimin nga Spanja të presidentit Sinan Idrizi, ky zhvillim ishte i pritshëm, pasi u përfol menjëherë pas humbjes me Dinamon.garsiaEnde nuk dihet nëse Idrizi është takuar personalisht me Garsian, ndërsa klubi nuk ka dalë akoma me një deklaratë zyrtare, gjë që pritet të ndodhë në orët në vijim. Pas ndeshjes me Dinamon, e cila u luajt të shtunën, futbollistët kanë marrë tri ditë pushim. Nesër ata do të rikthehen në stërvitje për të nisur përgatitjet për sfidën delikate ndaj Partizanit, me shumë mundësi pa trajnerin Garsia në pankinë.

Ironikisht, sapo Idrizi u kthye nga Spanja, ai zyrtarizoi marrëveshjen historike me Realin e Madridit, ndërsa trajneri spanjoll udhëton po drejt vendlindjes, por këtë herë pa shijuar suksesin e madh të klubit dhe duke lënë pas një Flamurtar në fund të tabelës. Karlos Grasia proni në fund të qershorit të merrte drejtimin e skuadrës vlonjate me kushtin që Flamurtari do të dyluftonte për të dy trofetë. Realiteti nuk do koment se ku ka përfunduar skuadra vlonjate, që ka marrë vetëm dy pikë në gjashtë javë kmapionat.

Kandidatët për stolin kuqezi dy janë emrat që po përmenden për të marrë drejtimin e Flamurtarit, të dy të huaj. Sipas burimeve të gazetës, më pranë firmës duket italiani Françesko Moriero, 56 vjeç, i cili sezonin e kaluar drejtoi Laçin. Më herët, në fillim të vitit 2021, ai ka qenë trajner i Dinamos në Kategorinë e Parë. Moriero njihet më shumë për karrierën e tij si futbollist, ku ka veshur fanellat e skuadrave të njohura të Serisë A si Roma, Milani, Interi, Napoli dhe Leçe, qyteti i tij i lindjes.

Kandidati tjetër është Tomas Brdariç, gjermano-kroat, i njohur për dy periudhat e tij në stolin e Vllaznisë. Me kuqeblutë, ai fitoi një Kupë Shqipërie në eksperiencën e parë, ndërsa në të dytën arriti deri në finalen për titull, ku u mund nga Egnatia. Ish-drejtori Behari: Garsia duhet të mbajë përgjegjësi Në javët e fundit, Garsia dukej se e ndiente afrimin e shkarkimit, pasi në prononcimet e pasndeshjeve u shfaq i përmbajtur, por pa dhënë dorëheqjen.

Ish-drejtori më jetëgjatë i klubit, Ardi Behari, deklaroi për “RTSH” se marrja e përgjegjësive është minimumi që duhet të bënte trajneri spanjoll. “Në gjashtë ndeshje, dy pikë janë shumë pak. Kjo jo vetëm që nuk përligj investimin dhe pritshmëritë, por e rikthen klubin në një rrugë pa krye. Marrja e përgjegjësive është gjëja më minimale në këto raste. Garsia ka përgjegjësi të madhe, sidomos për pjesën që lidhet me lojën dhe rezultatet. Pavarësisht rrethanave apo mungesave, trajneri duhet të marrë maksimumin nga skuadra. Në fund të fundit, në këtë profesion vlejnë vetëm rezultatet”, u shpreh Behari. Sipas tij, gjithçka tani varet nga strategjia e klubit.

“Nëse drejtuesit besojnë se ai mund ta ringrejë skuadrën, mund të vazhdojnë bashkëpunimin. Por me këto rezultate, është e qartë se diçka nuk po funksionon”, përfundoi ish-drejtori i Flamurtarit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL