Fitorja me polemika, si Usyk shmangu blofin historik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2026 | 18:00

Fitorja me polemika, si Usyk shmangu blofin historik

Kampioni i botës në peshën e rëndë, Oleksandr Usyk (25-0, 16 KO), mposhti me nokaut ish-kampionin e kategorisë elitare të kikboksit, Rico Verhoeven, vetëm një sekondë para fundit të raundit të njëmbëdhjetë. Një duel që prodhoi shumë polemika, pasi ndërprerja e ndeshjes është konsideruar si e parakohshme, për faktin se gongu ishte shumë pranë dhe do t’i jepte frymëmarrje boksierit holandez. Në këtë mënyrë, Usyk shmangu atë që mund të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e boksit.

usyk

Dueli i pazakontë për titullin WBC, i zhvilluar përballë piramidave të Gizës, në letër dukej i pabarabartë. Megjithatë, Verhoeven, i cili nuk kishte zhvilluar ndeshje profesioniste boksi prej 12 vitesh, theu çdo parashikim dhe për një moment u duk se ishte në rrugën drejt fitores. Ndeshja rezultoi shumë më interesante nga sa mund të kishin imagjinuar tifozët. Verhoeven kishte paralajmëruar se po nënvlerësohej dhe performanca e tij e vërtetoi këtë.

Deri në momentin e ndërprerjes së debatueshme, ai tregoi inteligjencë taktike dhe i shkaktoi jo pak vështirësi Usykut. Stili i tij fizik, agresiviteti i vazhdueshëm dhe goditja e fortë me të djathtën vunë në siklet ukrainasin, i cili u duk më i ngadaltë gjatë pjesës më të madhe të sfidës. Rico, që fitoi disa raunde gjatë përballjes, tregoi qartë se dinte shumë mirë çfarë po bënte në ring. Ishte evidente se përballë Usykut ndodhej një sportist inteligjent, i fortë dhe me rezistencë të admirueshme fizike.

Në një fund kaotik, Usyk rrëzoi sfidantin në sekondat e fundit të raundit të njëmbëdhjetë, por Verhoeven arriti të ngrihej përpara numërimit deri në dhjetë. Me shumë pak kohë të mbetur, ukrainasi e ngjeshi kundërshtarin në cep të ringut dhe nisi një seri goditjesh të pandalshme. Arbitri vendosi ta ndërpriste ndeshjen pak çaste para gongut final të raundit. Pikërisht për shkak të kohës minimale të mbetur, vendimi i arbitrit u konsiderua shumë i diskutueshëm, pasi Verhoeven do të kishte një minutë pushim në këndin e tij përpara raundit të fundit.

Megjithatë, është po aq e vërtetë se ai dukej pranë rrëzimit përfundimtar. “Mendova se ishte një ndërprerje e parakohshme, por në fund nuk varej nga unë. Doja që arbitri të më lejonte ta përfundoja duelin ose të më jepte mundësinë të vazhdoja në raundin e dymbëdhjetë. Ndihesha se ishim shumë pranë njëri-tjetrit në pikët e gjyqtarëve”, deklaroi Verhoeven për “DAZN” menjëherë pas ndeshjes.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL