Finale në Korçë, Abazaj: Bylisi tregon se e meriton Superioren
Bylisi luan sezonin në finalen e Korçës, në një duel mjaft të rëndësishëm për Mezanin dhe djemtë e tij. Mallakastriotët, pas fitores me Partizanin, duket se tashmë kanë në duar fatet e tyre për sezonin, madje ata kanë në favor edhe faktin që luajnë për dy rezultate.

Ballshiotët shpëtojnë direkt, nëse barazojnë ose fitojnë me Skënderbeun. Nëse Bylisi humbet me Skënderbeun, shpëton direkt nëse Laçi dhe Tirana barazojnë ose humbasin. Bylisi shkon në “play out”, nëse nuk fiton Tirana dhe triumfon Laçi.
FINALE- Marin Abazaj, kapiteni i Bylisit, në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, ka pohuar në prag të sfidës me Skënderbeun: “Kemi një ndeshje që vlen sa një sezon dhe për më tepër që e luajmë me një nga rivalët tanë për mbijetesë. Por do të japim gjithçka nga vetja jonë që të marim rezultat pozitiv dhe t’ia dalim në ndeshjen e sezonit për ne.
Nuk duam që djersa e tërë sezonit të ikë dëm për një ndeshje, madje kemi merituar më shumë dhe nuk duhet që të vinim deri në këtë pikë. Por kjo na forcon edhe më shumë edhe për këtë jam optimist sepse kemi punuar shumë këtë javë.
Jemi të bashkuar dhe me besim se do t’ia dalim mbanë. Pastaj presidenti na ka mbështetur shumë sidomos javët e fundit dhe duhet që t’ia shpërblejmë në këtë sfidë. Skënderbeun e respektojmë, por edhe Korçën, që është një qytet me traditë dhe kulturë. Por ne kemi një ekip që nuk e meriton të bjerë nga Superiorja, kështu që duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të dalim me kokën lart nga Korça dhe nga ky sezon i vështirë për ne”, thotë fillimisht Abazaj.

TIFOZËT- Ndërkohë, ai ka edhe një thirrje për tifozët që t’i mbështesin në transfertë. “Jemi të gjithë gati, trajneri na ka motivuar bashkë me stafin, ndaj edhe ne duhet që të shfaqim vlerat tona më të mira në këtë duel për t’u treguar të gjithëve se ky Bylis e meriton që të jetë mes më të mirëve të futbollit shqiptar edhe në sezonin e ardhshëm.
Falënderoj edhe tifozët ballshiotë si kapiten në këtë ekip prej dy vitesh dhe si pjesë e Bylisit prej tri sezonesh dhe kam një lutje: të vijnë në Korçë sa më shumë dhe të na mbështesin, pasi nuk do t’i zhgënjejmë, por do t’i bëjmë krenarë”, përfundoi Marin Abazaj.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













