Elbasani, 90 minuta për kreun dhe milionat. Ekipi kërkon reagim ndaj bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2026 | 8:31

Elbasani, 90 minuta për kreun dhe milionat. Ekipi kërkon reagim ndaj bardhebluve

Pas dy humbjeve radhazi ndaj skuadrave që luftojnë për mbijetesë, si Vora dhe Bylis, te Elbasani është rikthyer një atmosferë pakënaqësie dhe zhgënjimi.elbasaniiiVerdheblutë kishin mundësinë ideale për të krijuar një diferencë më të sigurt nga Vllaznia, por gabimet e dy javëve të fundit e kanë mbajtur të hapur garën për kreun. Gjithsesi, edhe shkodranët kanë kaluar një periudhë jo të mirë në këtë fund sezoni, ndaj elbasanasit vazhdojnë të mbajnë vendin e parë me dy pikë avantazh, vetëm një javë përpara fundit të kampionatit të rregullt.

LLOGARITË – Përpara është përballja ndaj Tiranës, një skuadër që po kalon momentin më pozitiv në Superiore dhe që synon me çdo kusht fitoren për të siguruar matematikisht mbijetesën. Për Elbasanin, kjo sfidë ka një rëndësi të dyfishtë. Verdheblutë kërkojnë patjetër të shmangin humbjen, në mënyrë që të ruajnë vendin e parë dhe avantazhin minimal ndaj Vllaznisë për fazën “Final 4”. Një fitore do të shërbente si përgjigjja më e mirë pas dy rezultateve zhgënjyese ndaj Vorës dhe Bylisit, duke rikthyer qetësinë në kampin verdheblu dhe entuziazmin te tifozët. Edhe një barazim do t’i mbante elbasanasit në krye, por me pikë të barabarta me Vllazninë, çka do ta bënte edhe më të fortë rivalitetin në fazën finale. Humbja, ndërkohë, do të komplikonte ndjeshëm objektivin për të hyrë si lider në “Final 4”. Në lojë nuk janë vetëm pikët dhe prestigji. Vendi i parë në renditjen e kampionatit të rregullt shpërblehet me 100 milionë lekë të vjetra, ndërsa vendi i dytë përfiton 70 milionë. Për ekipin e tretë janë parashikuar 50 milionë lekë të vjetra dhe për vendin e katërt 20 milionë. Për më tepër, skuadra që shpallet kampione pas “Final 4” siguron edhe një bonus tjetër prej 100 milionë lekësh të vjetra. Kjo e bën sfidën ndaj Tiranës vendimtare jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për anën financiare të klubit.

PRESTIGJI DHE AVANTAZHI – Elbasani synon ta mbyllë sezonin e rregullt si skuadra më e mirë e kampionatit, për të hyrë në “Final 4” me moral të lartë dhe me një avantazh, sado minimal, ndaj rivalëve direktë. Trajneri dhe stafi teknik janë të vetëdijshëm se çdo gabim në këtë moment mund të kushtojë shumë, ndaj fokusi është maksimal për ndeshjen e së dielës. Në kampin verdheblu besohet se skuadra ka ende forcën dhe cilësinë për të reaguar. Pavarësisht luhatjeve të fundit, Elbasani ka qenë një nga ekipet më të qëndrueshme të sezonit dhe ka treguar se di të menaxhojë presionin në ndeshjet vendimtare. Për këtë arsye, sfida ndaj Tiranës shihet si momenti ideal për të rikthyer besimin dhe për të treguar se ekipi mbetet favorit për titullin.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL