EKSKLUZIVE/ Zoran Zekiç peng i Sarajevës, një portugez për stolin e Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2026 | 23:45

EKSKLUZIVE/ Zoran Zekiç peng i Sarajevës, një portugez për stolin e Partizanit (E PLOTË)

Partizani ka mbyllur zyrtarisht grum bullimin për sezonin që sapo përfundoi dhe futbollistët do të jenë pushim deri më 20 qershor, datë në të cilën skuadra do të rikthehet për të nisur përgatitjet në kuadër të sezonit të ri. Pas një kampionati të vështirë dhe larg objektivave, në ambientin e të kuqve tashmë fokusi është zhvendosur plotësisht te ndërtimi i ekipit për edicionin e ardhshëm.

zekic murinjo

Kjo periudhë pushimi do të shërbejë jo vetëm për rikuperimin fizik të lojtarëve, por edhe për drejtuesit, të cilët do të kenë kohën e nevojshme për të marrë vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Prioriteti absolut mbetet zgjedhja e trajnerit të ri, ndërsa paralelisht po punohet edhe për merkaton verore. Në klub besojnë se Partizani ka nevojë për më shumë stabilitet dhe vazhdimësi pas një sezoni ku ndryshimet e shumta në pankinë ndikuan ndjeshëm në rezultatet e skuadrës. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit nuk duan të nxitojnë në përzgjedhjen e trajnerit të ri dhe po analizojnë me kujdes të gjitha alternativat.

KROATI- Dëshira kryesore e presidencës vijon të mbetet Zoran Zekic. Kroati konsiderohet profili ideal për të marrë drejtimin e skuadrës, jo vetëm për eksperiencën që ka, por edhe sepse e njeh mirë ambientin e Partizanit. Zekic drejtoi të kuqtë edhe në vitin 2023, periudhë në të cilën skuadra tregoi stabilitet dhe arriti rezultate pozitive. Në total, trajneri kroat drejtoi Partizanin në 14 ndeshje dhe la përshtypje të mira në ambientin e klubit. Pikërisht kjo eksperiencë ka bërë që drejtuesit ta konsiderojnë sërish si kandidatin favorit për pankinën e të kuqve. Sezonin e fundit, Zekic ishte pjesë e Sarajevos në Bosnje, ndërsa klubi boshnjak po tenton gjithashtu ta bindë për një rikthim. Kjo ka bërë që situata të mbetet ende e hapur dhe Partizani të mos ketë siguri të plotë për arritjen e marrëveshjes me trajnerin kroat.

TJETËR ALTERNATIVË- Megjithatë, në klub nuk duan të mbeten peng i vetëm një emri dhe për këtë arsye po studiohen edhe alternativa të tjera. Një nga emrat që ndodhet në listën e drejtuesve është edhe një trajner portugez, detaj që konsiderohet një surprizë, pasi deri më tani nuk ishte bërë publik interesimi për profile të tilla. Drejtuesit po mbajnë kontakte dhe po diskutojnë me kandidatë të ndryshëm, duke analizuar jo vetëm aspektin sportiv, por edhe projektin që secili trajner paraqet për skuadrën. Në klub kërkojnë një teknik që të ketë ide të qarta për mënyrën e lojës dhe për ndërtimin e ekipit.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm për Partizanin mbetet edhe mënyra se si trajneri i ardhshëm do të menaxhojë grupin, kur skuadra të ketë oshilacione në rezultate dhe momentete të vështira ashtu siç ndodhi në çdo kampionat për secilën skuadër. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit duan një trajner që të jetë në gjendje të krijojë një grup të fortë dhe të balancuar. Objektivi kryesor mbetet rikthimi i Partizanit në nivelet më të larta të futbollit shqiptar dhe sigurimi i pjesëmarrjes në Kupat e Europës.

MERKATO- Paralelisht me çështjen e trajnerit, klubi po mendon edhe për merkaton. Të kuqtë synojnë të ruajnë bazën aktuale të skuadrës, por pa përjashtuar afrime cilësore në repartet ku u vunë re më shumë

probleme gjatë sezonit të fundit. Skuadra ka nevojë për më shumë konkurrencë dhe për lojtarë që mund të bëjnë diferencën në momentet vendimtare. Për këtë arsye, merkatoja e verës konsiderohet shumë e rëndësishme për të ardhmen e ekipit. Një tjetër aspekt që po analizohet lidhet edhe me largimet e mundshme.

Disa futbollistë kanë tërhequr interes gjatë sezonit dhe në rast ofertash të rëndësishme financiare, klubi mund të marrë në konsideratë shitjen e tyre. Megjithatë, drejtuesit nuk duan të dobësojnë skuadrën dhe synojnë që çdo largim të zëvendësohet me alternativa cilësore. Në ambientin e të kuqve ekziston bindja se Partizani duhet të ndërtojë një ekip më të qëndrueshëm dhe më konstant në rezultate.

ZGJIDHJA- Fakti që skuadra nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm e bën edhe më të rëndësishme mënyrën se si do të menaxhohet kjo verë. Mungesa në Europë do të ndikojë në aspektin ekonomik, por njëkohësisht mund t’i japë skuadrës më shumë kohë për t’u përgatitur në fazën përgatitore para sezonit.

Në klub shpresojnë që sezoni i ri të jetë krejtësisht ndryshe nga ai që sapo u mbyll. Për këtë arsye, drejtuesit po tregohen të kujdesshëm në çdo vendim që po marrin gjatë kësaj periudhe. Ajo që duket e sigurt, të paktën për momentin, është se Partizani do t’ia besojë skuadrën një trajneri të huaj, dëshirë kjo e presidencës së klubit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse zgjedhja finale do të jetë Zoran Zekiç…

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL