EKSKLUZIVE/ “Ylli i parë duhet të vijë në Shkodër”, Jera: 25 vite pa titull janë shumë, koha e Vllaznisë ka ardhur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2026 | 22:02

EKSKLUZIVE/ “Ylli i parë duhet të vijë në Shkodër”, Jera: 25 vite pa titull janë shumë, koha e Vllaznisë ka ardhur (E PLOTË)

Fatbardh Jera, ish-mbrojtësi i njohur i Vllaznisë i viteve 1980- 90 ka folur së fundmi në mënyrë ekskluzive për “Panorama Sport”.JERAIsh-kampioni i vendit me kuqeblutë ka folur për kampionatin shqiptar deri më tani, duke cilësuar një garë të fortë e të barabartë dhe e tillë do shkojë deri në fund. Shkodrani ndalet në veçanti tek skuadra e tij e zemrës, Vllaznia, duke theksuar rritjen që kanë pasur kuqeblutë në vitin 2026. Duke përmirësuar shumë në mbrojtje e po ashtu duke qenë fituese dhe me futboll të bukur, ku këtë fakt ai i jep merita trajnerit Martini. Ndër të tjera, 65-vjeçari thotë se ky është sezoni ideal që Vllaznia më në fund të rikthejë titullin e aq shumë munguar në Shkodër prej 25 vitesh tashmë.

Jera, si e keni shikuar kampionatin shqiptar deri në këtë pikë të sezonit?

Shoh një kampionat të ekuilibruar si shpesh herë në këto sezonet e fundit. Them se nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave dhe secila mund t’i hapë “punë” njëra-tjetrës në përballjet që kanë. Prandaj shoh garë dhe rivalitet në çdo front, ku ndoshta katër ekipet e para tashmë janë shkëputur disi, megjithëse sërish edhe ata nuk janë 100% të sigurt për “final 4”. Besoj se do kemi garë në çdo front deri në javën e fundit të kampionatit dhe kjo besoj se e bën të paparashikueshëm kampionatin nga java në javë.

Vllaznia në veçanti, si duket në syrin tënd?

Vllaznia e nisi shumë mirë kampionatin, më pas pati luhatjet e saj, që besoj se i kalon çdo skuadër gjatë 36 javësh edicion. Tashmë është rikthyer ndoshta edhe më mirë se në fazën e parë të kampionatit. Shoh një skuadër në ekuilibër total dhe që rrezikon shumë pak gjatë 90 minutave të një ndeshjeje. Tashmë edhe disa futbollistë po marrin përsipër të zgjidhin situata në mënyrë individuale kur loja në ekip “çalon” apo “ngec” disi. I shoh kuqeblutë me disa opsione dhe mënyra se si mund t’i zgjidhin ndeshjet e momente të ndryshme të lojës. Këto janë një elemente të një ekipi që synon vetëm vendin e parë dhe uroj që Vllaznia të vijojë kështu, pse jo edhe të përmirësojë akoma më tepër.

Sa i rëndësishëm ishte ky sukses i fundit i skuadrës ndaj Teutës 0-1?

Ndoshta nuk ishte takimi më i mirë apo më brilant i mundshëm, por u mor ajo që duhej më tepër, fitorja dhe 3 pikët. E si u arrit ky sukses? Me qetësi dhe cinizëm, po shoh një Vllazni të saktë dhe cinike, që “godet” kur duhet e më pas ruan me “fanatizëm” rezultatin. Kjo pasi në të shkuarën, ekipi luante bukur, por ndonjëherë nuk merrte rezultat. Teksa së fundmi, skuadra jo vetëm bind në lojë, por edhe rezultat. E këtu merita kryesore i takon trajnerit Martini, që ka futur këtë mentalitet në skuadër. Absolutisht loja e bukur e cilësore ka rëndësi, por ajo nuk vlen nëse nuk arrihet edhe rezultati, tashmë të dyja këto po shkojnë paralel e kjo e bën skuadrën të suksesshme.

Çfarë duket se kanë kuqeblutë diçka më shumë se rivalët?

Siç e përmenda pak më sipër, mentaliteti që ka tashmë ekipi besoj se bën diferencën me skuadrat e tjera. Është një qasje që po më pëlqen shumë dhe shoh edhe krenarinë shkodrane, djem që ndiejnë fanellën e që luftojnë për të. Ndoshta diçka e munguar më parë e kjo e përçuar patjetër nga figura si Martini e Sinani që janë në krye të ekipit dhe dinë çdo thotë të përfaqësosh e jesh kampion me Vllazninë. Po ashtu shoh shumë cilësi edhe tek futbollistët që janë një garanci për fitore, me një ekip të plotësuar dhe dubluar në çdo rol. Që jep opsione për trajnerin e nuk lë kurrë boshllëqe kur dikush mund të mungojë.

Ndonjë futbollist që do veçonit?

Të gjithë në përgjithësi, por Kastrati e Kallaku kanë bërë diferencën së fundmi. Duke shkuar në nivelin që priteshin nga të gjithë e po udhëheqin skuadrën me cilësitë e tyre, madje ndoshta duke qenë ndër më të spikaturit në Superiore momentalisht.

Po ashtu kam parë në ngritje edhe një dyshe si Krymi e Gurishta, që janë një vlerë për ekipin dhe dy futbollistë shkodranë që e njohin mirë atë çfarë kërkohet në atë ambient. Po ashtu Bekimi (Balaj) është vlerë absolute e ekipit, një kënaqësi për çdo trajner ta stërvitë e ta ketë si kapiten për të udhëhequr skuadrën në fushë. Prandaj them se Vllaznia është shumë e kompletuar, kur shikon që edhe nga stoli vijnë emra si: Bismark, Murataj e tani Dodaj mendon se sa opsione e cilësi ka ky ekip.

Mbrojtja një siguri më vete tashmë…

Ka qenë ndoshta një pikë e dobët e skuadrës, që pësonte ndoshta edhe gola të “lehtë”. Por, duket se janë studiuar dhe korrigjuar të metat e pjesës së parë të sezonit. Një ekip nuk është i fortë nga golat sa shënon, por nga golat që nuk pëson. Pasi mund të shënosh 3 herë dhe pësosh 4 të tjerë, që do zhvlerësonin gjithçka. Një mbrojtje e fortë dhe solide garanton fitore e “shtrimin” e rrugës drejt triumfit final në fundin e sezonit.

Si vijohet në këtë rrugë fitoresh?

Me qetësi dhe përqendrim, ekipi nuk duhet vetëkënaqur asnjëherë e të kërkojë gjithmonë për të përmirësuar akoma më shumë çdo herë. Nuk duhet të kalojë aspak në eufori sepse ne në Shkodër këtë e kemi si “sëmundje” (qesh). Përtej shakasë në këtë rrugë ecet vetëm duke qëndruar me këmbë në tokë e duke i marrë ndeshjet me radhë. Duke vlerësuar çdo situatë e po ashtu duke mosnënvlerësuar asgjë në rrugën ende të gjatë drejt qëllimit që besoj se ka skuadra dhe klubi i Vllaznisë.

Besoni se ky do jetë sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion në Shkodër?

E dua me zemër diçka të tillë sepse realisht 25 vite janë shumë pa titull për Vllazninë e Shkodrën. Ka ardhur momenti e sezoni i duhur që titulli të rikthehet e në gjoks të stampohet ylli i parë që do simbolizojë 10 tituj kampion përgjatë historisë së kuqebluve në kampionatin shqiptar. Skuadra i ka mundësitë reale dhe prandaj duhet t’i japë “gaz” në maksimum e të shkojë deri në minutën e fundit për fitimin e kampionatit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL