EKSKLUZIVE/ U tha se nuk kaloi testet mjekësore, prapaskenat e largimit të Sodik nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2025 | 8:22

EKSKLUZIVE/ U tha se nuk kaloi testet mjekësore, prapaskenat e largimit të Sodik nga Partizani

Një nga lojtarët më të mirë që mbërritën në muajin janar te Partizani ishte Sodik Ismail, lojtar i Remo Stars dhe pjesë e përfaqësueses U-23 të Nigerisë. Partizani arriti marrëveshjen për blerjen e tij për 50 mijë euro, teksa lojtari zbriti në stërvitje që në ditët e fundit të vitit 2024. Por siç dihet Sodik u largua nga Partizani pas afro një muaji qëndrim.

Sodiq_d9834f7ec7

Lojtari për një kohë të gjatë refuzoi të stërvitej dhe kërkoi të largohej. Partizani kishte në dorë kontratën e firmosur dhe si fillim refuzoi ta lironte 22-vjeçarin. Pas afro një muaji të kuqtë e lanë të lirë mbrojtësin e djathtë, teksa në klub dolën fjalë në rrugë jozyrtare se lojtari është larguar për shkak se nuk ka kaluar testet mjekësore. Vetë Sodik e përgënjeshtroi këtë në një prononcim për gazetën, ku u shpreh se ai është 100% i shëndetshëm.

TITULLAR – Të hënën Sodik është kthyer zyrtarisht në klubin e Remo Stars, ku edhe ka luajtur si titullar në ndeshjen që skuadra e tij e humbi me shifrat 2-1 ndaj Rejnxhërs. Fakti që ka luajtur nga minuta e parë dhe po ia del shumë mirë të vijojë luajë futboll, është një tregues se lojtari është i shëndetshëm dhe fjalët për dështimin në testet mjekësore kanë qenë jo të vërteta. Të paktën këtë tregojnë faktet.

PRAPASKENAT – Një nga arsyet e dëshirës së Sodik për tu kthyer në Nigeri dyshohet të kenë qenë edhe kushtet e kontratës. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se përveç pagës, mbrojtësi ka kërkuar që klubi t’i rregullojë edhe një apartament dhe ushqimin falas.

Kjo nuk është pranuar nga të kuqtë, që i kanë ofruar të qëndrojë në hotelin e klubit, ku edhe ka kuzhinën në dispozicion të tij. Sodik ka ndjerë se nuk po trajtohet siç e meriton dhe ka kërkuar të largohet. Në rast se klubi mund të ketë një tjetër qasje, lojtari e ka të hapur mundësinë për një rikthim në verë. Gjithçka mund të ndodhë.

PANORAMASPORT.AL