EKSKLUZIVE/ “Titulli i Egnatias nuk erdhi rastësisht”, Eljon Sota: Duam të shkruajmë historinë në Europë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2026 | 22:10

EKSKLUZIVE/ “Titulli i Egnatias nuk erdhi rastësisht”, Eljon Sota: Duam të shkruajmë historinë në Europë (E PLOTË)

Egnatia bëri “tris” radhazi sa i përket titullit kampion, duke hyrë në finale si jo favorit, por që në fund ia dolën ta mbanin trofeun në shtëpi. Një sukses që i jep mundësinë rrogozhinasve t’i nisin kupat e Europës nga Liga e Kampioneve dhe një mundësi më shumë për të shkuar deri në grupet e Konferencë Ligë.sotaPas një sezoni të gjatë, të mbushur me ulje-ngritje, momente presioni dhe sfi da të forta përballë rivalëve direktë, skuadra e Nevil Dedes tregoi edhe një herë se di të reagojë në momentet më të rëndësishme. Egnatia e mbylli sezonin aty ku kishte synuar që në fillim, në majën e futbollit shqiptar, duke konfi rmuar statusin e saj si skuadra dominuese e viteve të fundit.

Në një kampionat ku gara për titullin mbeti e hapur deri në fund dhe ku rivalët bënë gjithçka për t’i ndalur rrogozhinasit, ishte pikërisht eksperienca dhe forca e grupit ajo që bëri diferencën. Fitorja në finalen vendimtare jo vetëm që vulosi një tjetër sezon të suksesshëm, por tregoi edhe karakterin e një skuadre që nuk dorëzohet lehtë. Pas fitimit të trofeut, foli për “Panorama Sport”, një nga lojtarët kryesorë të kësaj Egnatie, mbrojtësi Eljon Sota, i cili nuk i fshehu emocionet, duke pasur parasysh se sezoni nuk ka qenë aspak i lehtë.

“Normalisht që jemi shumë të lumtur, është sakrifica e gjithë vitit që na u shpërblye. Është një ditë shumë speciale për ne, sepse kemi pasur një sezon shumë të vështirë, por me fund të lumtur, sepse u kurorëzuam kampionë”, u shpreh fillimisht Eljon Sota.

FINALET – Në një kampionat ku diferencat mes skuadrave kryesore kanë qenë minimale, gjithçka u vendos në ndeshjet që kishin më shumë peshë. Pikërisht aty ku presioni ishte maksimal dhe ku gabimet kushtonin më shumë se kurrë, Egnatia tregoi fytyrën e saj më të mirë. Rrogozhinasit arritën të triumfojnë në tre sfidat finale, duke mposhtur rivalët direktë dhe duke treguar se janë një skuadër e ndërtuar për sfida të mëdha. Edhe pse në disa momente gjatë sezonit u duk sikur rruga drejt titullit ishte bërë më e vështirë, brenda grupit besimi nuk mungoi asnjëherë.

Sipas Sotës, sekreti i suksesit ishte pikërisht bindja se skuadra kishte cilësitë e duhura për të dalë fituese në ndeshjet vendimtare. Mbrojtësi thekson se eksperienca e krijuar ndër vite dhe mentaliteti fitues i grupit ishin faktorë që ndihmuan Egnatian të ruante qetësinë në momentet kyçe të sezonit. “Besim kemi pasur gjithmonë, sepse jemi një ekip shumë i fortë për ndeshje të tilla, si këto fi nalet. E dinim që do të ishte shumë e vështirë, por gjatë rrugës kuptuam se forca jonë ishte akoma edhe më e madhe”, vijoi më tej mbrojtësi i Egnatias.

 EUROPA – Tashmë, pas festimeve dhe emocioneve të titullit, vëmendja e kampionëve do të zhvendoset te aventura europiane. Për Egnatian nis një kapitull i ri, ndoshta edhe më sfidues, pasi përballë do të ketë kundërshtarë me eksperiencë ndërkombëtare dhe nivele të ndryshme futbolli. Megjithatë, fakti që skuadra do ta nisë rrugëtimin nga Liga e Kampioneve i jep asaj një avantazh të rëndësishëm, pasi do të ketë më shumë mundësi për të vazhduar rrugën në kompeticionet europiane.

Klubi nga Rrogozhina ka treguar në sezonet e fundit se nuk kënaqet vetëm me sukseset në arenën kombëtare dhe tashmë objektivi është që emri i Egnatias të dëgjohet edhe më shumë në Europë. Një short i favorshëm mund të rrisë ndjeshëm shanset për të kaluar ture dhe për të realizuar ëndrrën e madhe të klubit, atë të një paraqitjeje historike në fazat më të avancuara të kompeticioneve europiane. Edhe Sota e sheh me optimizëm këtë sfi dë të re, ndërsa shpreson që skuadra të vazhdojë të shkruajë histori pas dominimit në futbollin shqiptar.

“Shpresoj që të kemi një paraqitje sa më dinjitoze dhe një short sa më të lehtë. Shpresojmë që të kalojmë ture edhe të provojmë të shkruajmë histori”, përfundoi mbrojtësi i skuadrës së Egnatias. Me titullin e tretë radhazi tashmë në muzeun e klubit, Egnatia ka konfirmuar se nuk është më një surprizë e futbollit shqiptar, por një realitet i konsoliduar. Sfi da e radhës do të jetë transferimi i këtij suksesi edhe në arenën europiane, aty ku rrogozhinasit synojnë të hedhin një tjetër hap të rëndësishëm në historinë e klubit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL