EKSKLUZIVE/ Tirana hap thesin, presidenti Halili shpërndan 300 milionë lekë. Ja prapaskenat para duelit me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2025 | 23:17

EKSKLUZIVE/ Tirana hap thesin, presidenti Halili shpërndan 300 milionë lekë. Ja prapaskenat para duelit me Teutën

Ekipi i Tiranës, për para ndeshjes me Teutën, mbushi xhepat me para, por sërish nuk arriti të fitonte në kampionat.

halili

“Panorama Sport” mëson se të shtunën e kaluar, duke parë rëndësinë e ndeshjes me durrsakët, si dhe duke menduar se ekipit i duhet një stimul plus, drejtuesit e klubit bardheblu, kanë shpërndarë 300 milionë lekë të vjetër rroga dhe detyrime të prapambetura. Grupi e ka nisur ndeshjen shumë më i qetë, pasi presidenti Refik Halili e ka mbyllur “gapin” e rrogave, që prej javësh përflitej lart e poshtë. Një lëvizje kjo e drejtuesve, e bërë që skuadra të jetë e përqendruar dhe të mos e ketë mendjen askund tjetër, veçse te fusha e lojës.

Gjithsesi, sforcoja financiare që bëri klubi nuk qe rezultative. Skuadra kishte dëshirë për të fituar, por bardheblutë sërish nuk ia dolën që të merrnin pikë, dhe me humbjen 2- 1 u kthyen në vendin e nëntë të renditjes. “Ilaçi” lekë nuk i bëri “derman” Tiranës, e cila u dorëzua në Durrës dhe tani duhet të fitojë derbin me Dinamon, që të mos rëndojë edhe më shumë pozitat në klasifikim. Situata është komplikuar, pasi tani në “luftën” për mbijetesë janë 6 skuadra.

Ato prej vendit të pestë, deri në fundin e tabelës. Nga Skënderbeu deri tek Elbasani, ekipet janë brenda tetë pikëve, ndërsa nga Tirana, vetëm pesë. Kjo do të thotë se korçarët, kryeqytetasit, Teuta, Laçi, Bylisi dhe verdheblutë janë në lojë për tri vendet e fundit të Kategorisë Superiore.

PENALLTIA – Bardheblutë edhe në këtë sfidë kanë kontestuar shumë ashpër vendimet e gjyqtarit Kreshnik Cjapi. Në disa raste, sipas klubit Tirana, gjyqtari ka treguar njëanësi. Edhe penalltia e dhënë ndoshta nuk ka qenë në vijë dhe pamjet filmike kanë qenë shumë të paqarta. Teuta, është ndeshja e tretë ku 26 herë kampionët kanë pretendime për gjykimin, pas Elbasanit dhe derbit me Partizanin.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL