EKSKLUZIVE/ Tirana e frikshme! Redon Xhixha, dhurata e madhe e bardhebluve
Redon Xhixha pritet të jetë dhurata e madhe e Tiranës në këtë merkato janari. Me shumë mundësi, sulmuesi do të vishet sërish bardheblu, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se operacioni është në detajet e fundit dhe palët janë shumë pranë akordit përfundimtar. Nëse gjithçka mbyllet sipas planit, Xhixha do të rikthehet në kryeqytet pas afro tri vitesh. Sulmuesi u largua nga Tirana në janarin e vitit 2023, duke vijuar karrierën në Azerbajxhan te Karabaku, ku pati një eksperiencë të rëndësishme në aspektin profesional. Më pas, ai firmosi me CR Belouizdad, ekip me të cilin ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka grumbulluar 117 minuta lojë.

Rikthimi i Xhixhës shihet si një lëvizje strategjike nga drejtuesit bardheblu, të cilët synojnë të forcojnë repartin ofensiv për gjysmën e dytë të sezonit. Njohja e ambientit, tifozëve dhe presioni i fanellës së Tiranës janë elementë që pritet ta ndihmojnë sulmuesin të integrohet shpejt në skuadër. Në kampin bardheblu besohet se Xhixha mund të sjellë menjëherë alternativë dhe konkurrencë në fazën sulmuese, duke rritur potencialin ofensiv të ekipit. Një rikthim i tillë do të ishte jo vetëm një përforcim i rëndësishëm në fushë, por edhe një sinjal i qartë i ambicieve të Tiranës për të luftuar fort në pjesën e mbetur të kampionatit. Nëse vjen edhe Redon Xhixha, Tirana ndërton triadën më të fortë në sulm me Redonin, Ernestin dhe Tabekun.
MË REZULTATIVI – Në një klub me historinë dhe traditën e Tiranës, ku kanë kaluar disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, renditja e golashënuesve më efikasë është gjithmonë një temë me shumë peshë. Në një analizë të detajuar që përfshin statistika konkrete, gola, ndeshje dhe minutat për gol në vitet e fundit, spikat fuqishëm emri i Redon Xhixhës, një nga sulmuesit më të frikshëm që ka “prodhuar” klubi bardheblu në dekadën e fundit. Me 32 gola të shënuar në 55 ndeshje, Xhixha kryeson bindshëm renditjen, duke realizuar një gol çdo 132 minuta, me një mesatare prej 0.58 golash për ndeshje. Një efiçencë e jashtëzakonshme që e pozicionon atë si “bomberin” më të rrezikshëm të bardhebluve në vitet e fundit. E veçanta e kësaj renditjeje është se të gjithë lojtarët që përfshihen në “Top 10” kanë qenë pjesë e Tiranës, dhe që kanë lënë gjurmë me fanellën bardheblu. Ky fakt jo vetëm nënvizon fuqinë sulmuese që ka pasur Tirana ndër vite, por edhe kapacitetin e klubit për të prodhuar dhe afruar lojtarë me rendiment të lartë para portës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













