EKSKLUZIVE/ “Te Partizani A jam unë”, Kërnaja pas fitores me ekipin B: Klubi po kërkon trajner, lojtarët kryesorë nuk u trajtuan siç duhet me Milinkoviç
Oltijon Kërnaja ka hyrë në histori sot në klubin e Partizanit. Pa u mbushur 24 orë nga fitorja me ekipin A të të kuqve ndaj Flamurtarit në Superiore, ai ka shënuar fitore edhe me ekipin B në Kategorinë e Dytë përballë Devollit.

Një sukses që Kërnaja e ka cilësuar si të rëndësishëm duke falënderuar klubin për besimin. Por njëkohësisht, ai konfirmoi për “Panorama Sport” se tashmë po kërkohej një trajner për ekipin B, pasi ai do të fokusohej vetëm te ekipi A i të kuqve.
“Kjo do të thotë shumë për mua në të gjitha aspektet. Moral, fizik, të karrierës time, vlerësim shumë i madh nga klubi, po mundohem të bëj maksimumin me të dy ekipet.
E rëndësishme është që po vijnë fitoret, çunat vrapojnë njëlloj. Nga i pari i B tek i pari i A janë njëlloj, ndaj edhe ne njëlloj do të hyjmë për fitore në të dy ekipet.
E ardhmja? Jemi në bisedim e sipër, do mundohemi të gjejmë një zgjidhje për pjesën më poshtë ndoshta, për ekipin B, por të shohim.
Nuk është se kemi bërë ndryshime shumë të mëdha te ekipi A, parimet kryesore, grup, kolektivitet, të gjithë çunat bashkë nga i pari tek i fundit. Sepse me grup, të bashkuar bashkë, mund të dalim nga situata në të cilën jemi tek ekipi A.
Moriero debatoi jo me mua por me asistentin tim, Kushtimin. Nuk vendosim ne te VAR-i, ashtu siç nuk vendosëm te penalltia. Në gjaknxehtësi e sipër, me profesorin jemi OK, edhe ndonjë deklaratë e tij është më shumë në formë shakaje sesa e vërtetë.
Trajneri i ri? Te Partizani A jam unë, te Partizani B diskutohet për ndonjë trajner tjetër në vazhdim.
Ndryshimi te Partizani A? Ndoshta thjesht grupi nuk ishte siç duhet, lojtarët kryesorë nuk u trajtuan siç duhet dhe kjo ishte ajo që duhej të ndryshonim”, tha Kërnaja pas ndeshjes së sotme me Partizanin B.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













