EKSKLUZIVE/ “Të mos “bien në gjumë” pasi kampionati nis tani”, Vrapi: Partizani gjeti çelësin e suksesit, titullin ia lejon formula (E PLOTË)
Partizani është shndërruar në kryefjalën e kë tyre javëve të fundit, me të kuqtë që të udhëhequr nga trajneri Oltijon Kërnaja kanë koleksionuar pesë fitore radhazi duke u ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit në kuotën e 42 pikëve, një pozicion që vetëm disa javë më parë mendohej si tepër i vështirë për t’u arritur.

Triumfi i fundit në kampionat ndaj Dinamos, i shtoi edhe më shumë vlera formës së Partizanit, teksa trajneri Kërnaja “guxoi” edhe të bënte disa ndryshime domethënëse në formacionin startues. Nga aktivizimi i Atanaskoskit si mbrojtës qëndre, te Hjuman në rolin e një numri “9 fals”. Në lidhje me këto ndryshime taktike të Kërnajës dhe jo vetëm, foli në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i Partizanit dhe kombëtares së Shqipërisë, Endri Vrapi.
Ish-mbrojtësi, theksoi se moduli i zgjedhur nga të kuqtë ishte efikas dhe për këtë merita i shkon trajnerit Kërnaja, ndërsa shtoi se këto lëvizje në formacion për Partizanin, ishin për t’iu përshtatur edhe kundërshtarit e nuk do të jenë të shpeshta pasi kryeqytetasit e kanë tashmë një strukturë dhe formacion stabël ku mund të mbështeten. Ndër të tjera, Vrapi tha se tani fillon kampionati për Partizanin pasi iu duhet të ruajnë vendin e katërt e të mendojnë gjithashtu për pozicione më të larta, ndërsa u shpreh se kryeqytetasit tashmë kanë gjetur “trinomin” fitues që është “skuadër-staf-president”.
Si ju dukën lëvizjet e trajnerit Kërnaja për të luajtur pa një sulmues të mirëfilltë ndaj Dinamos, apo edhe për të zhvendosur Atanaskoskin në qendër të mbrojtjes?
Çdo trajner ka metodologjinë e punës së tij dhe mendoj që një nga metodat është edhe riformatimi i pozicioneve për një ndeshje specifike dhe pse jo aq më tepër kur i duhet të fitojë. Nisur nga skema, një numër “9 fals” do të thotë mbipopullim në mesfushë, që si rrjedhojë erdhi dhe loja që Partizani dominoi mesfushën, duke parë që lojtari që kishte zgjedhur (Hjuman)ishte mjaft i shpejtë në veprimet individuale, duke u mbështetur dhe nga krahët që dhe ato bënë një punë të shkëlqyer (Fadairo e Sidibe). Adoptimi i Atanaskoskit në qendër vjen edhe si rrjedhojë që ai ka provuar dhe me modul tjetër që të jetë pjesë e qendrës dhe ai që është mbrojtës i majtë e ka më të thjeshtë që të përshtatet dhe në qendër. Gjë që rezultoi efikase dhe i la liri veprimi po prapë Buxhelajt në krahun e majtë.
A e gjetën të papërgatitur Dinamon dhe trajnerin Daja këto ndryshime, duke bërë më pas që Partizani të shfaqej dominues në fushë?
Nuk besoj që e gjeti të papërgatitur trajnerin Daja ose ekipin e Dinamos, por mendoj që dominimi ishte nga mbipopullimi i Partizanit në mesfushë. Analiza e çdo trajneri është gjithnjë që të analizojë normalisht ekipin e tij, duke parë se si mund të veprojë kundrejt kundërshtarit. Besoj që hapësirat që iu krijuan edhe lojtarëve të krahut ndikuan, sepse janë lojtarë që pëlqejnë lojën një kundër një! Moduli i mënyrës që kërkoi Partizani të bënte kundër Dinamos ishte efikas, dhe një meritë për këtë ka dhe trajneri!
A duket tashmë Partizani një skuadër e pjekur që mund të provojë edhe të tilla ndryshime të skemës dhe sërish të fitojë?
Sa i përket ndryshimit të skemës, nuk besoj se do të jetë në vazhdimësi, sepse një ekip nuk duhet të ketë shumë ndryshime, por mënyra se si kërkon ta fitojë ose të mbrojë rezultatin varet në varësi të lojës që kërkon trajneri dhe mënyrës se si ai kërkon të sulmojë. Lëvizje brenda formacionit që fillon nga minuta e parë mund të ketë, po me emra nuk besoj se do të ketë shumë që mund të hyjnë nga stoli. Partizani e ka krijuar tani strukturën e saj dhe besoj me këtë strukturë do të vazhdojë dhe t’i besojë deri në fund.
Tre derbi të luajtura në “Air Albania” për Partizanin me Kërnajën dhe të treja të fituara me rezultatin 2-0, një rastësi apo meritë e skuadrës dhe trajnerit për t’u përshtatur e për të përballuar siç duhet presionin e një derbi?
Kur një grup funksionon mirë është trinomi i famshëm “skuadër-staf-president” dhe këtë gjë e kanë gjetur tek Partizani, dhe pse me pak vonesë, por që rezulton efikase. Ekipi po ndihmon trajnerin, por dhe trajneri po bën dhe po merr sa më shumë maksimumin e çdo lojtari në çdo pozicion. Por, në fund trajneri merr përgjegjësinë, qoftë për mirë, qoftë për keq! Padiskutim që trajneri ka meritë tek ky grup i shëndetshëm dhe me plot dëshirë.
Partizani në vend të katërt dhe me një fazë të fundit për t’u luajtur, duke parë edhe formën, por edhe formulën e përgjysmimit të pikëve në “Final Four”, a mund të synojnë të kuqtë titullin kampion apo do të ishte e tepërt për t’u kërkuar ky objektiv?
Është një moment kyç tani për Partizanin, sepse do fokusohet 100% te kampionati dhe duhet të ketë kujdes tani që është në katërshe dhe nëse kërkon të ruajë ritmin e ekipeve të para nuk i lejohen më gabimet. Në momentin që je pjesë e katërshes së parë dhe “Final Four”, logjika të lejon dhe të pretendosh për më lart te objektivat që ka klubi, derisa formula të lejon pse të mos pretendojnë.
Kampionati përgatitet për fazën e katërt, cilat do të jenë detajet që do të përcaktojnë fatin e skuadrës në këto nëntë ndeshje të fundit?
Partizani duhet të jetë vigjilent në çdo ndeshje dhe të bëjë maksimumin që mos të “bie në gjumë” se është në vendin e katërt, sepse momenti më i vështirë i Partizanit fillon tani. Atë që nuk e bëri për tre faza duhet ta bëjë tani dhe ta harrojë të kaluarën dhe të fokusohet tek e tashmja. Për Partizanin tani fillon kampionati!
A mendoni se dy emra me shumë histori në futbollin shqiptar si Tirana dhe Flamurtari do t’ia dalin që të mbijetojnë mes më të mirave, aktualisht janë respektivisht në vend të fundit dhe të parafundit?
Më vjen keq për të dy emrat që i kanë dhënë shumë kampionatit shqiptar, por mendoj që gara do të jetë e fortë deri në fund dhe mund të ketë rotacion përsëri. Siç është e fortë gara për kampionat, ashtu është dhe gara për mbijetesë.
Këtë mesjavë u hodh edhe shorti i Kupës, që vendosi përballë Dinamon me Vllazninë dhe Egnatian me Elbasanin, cilat skuadra mendoni se kanë më shumë shanse për të prekur finalen?
Derisa janë katër ekipet që janë pjesë e gjysmëfinales, besoj se është mëse e merituar, janë dy ndeshje që nuk i veçon dot. Janë ndeshje shumë të bukura dhe për t’u shijuar, por ndoshta ka ardhur dhe momenti i Elbasanit për trofe. Gjithsesi, duhet parë se i mungon prej vitesh dhe me punën që kanë bërë besoj që Elbasani do të jetë pretendenti kryesor për fitimin e Kupës.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













