EKSKLUZIVE/ Talenti Dodaj drejt Suedisë, Vllaznia do shumën rekord! Zbulohen prapaskenat e bujshme (E PLOTË)
Kevin Dodaj prej disa kohësh diskutohet se mund të largohet nga Vllaznia dhe duket se lëvizja do të jetë konkrete këtë verë. “Panorama Sport” mëson në mënyrë ekskluzive, që për djaloshin shkodran ka një interesim konkret nga ekipi i AIK-ut në Suedi.

Drejtuesit dhe menaxherët e skuadrës së njohur skandinave kanë pasur kontakte të vazhdueshme me presidentin Alban Xhaferri në ditët e fundit, ku nga ajo çfarë bëhet e ditur për gazetën, është se menaxherë të klubit ndodhen aktualisht në Shkodër. Dhe në ditët e ardhshme do të ketë një hap konkret dhe ndoshta edhe ndonjë ofertë zyrtare në drejtim të Vllaznisë për Kevin Dodajn. Momentalisht, nga ajo çfarë bëhet e ditur në burime pranë klubit kuqeblu, po diskutohet edhe formula e transferimit të sulmuesit në Suedi.
Çmimi që pretendon të marrë Vllaznia nga shitja e Dodajt shkon nga 500-700 mijë euro. Por, drejtuesit e AIK-ut po negociojnë që ky çmim të jetë disi më i ulët dhe në këtë mënyrë nëse kartoni do të jetë më i ulët se vlera që pretendon Vllaznia, një pjesë e kartonit të 19-vjeçarit do të mbahet edhe nga kuqeblutë, të cilët mund të marrin përfitime të tjera financiare në të ardhmen. AIK është një nga skuadrat e mirënjohura të futbollit suedez dhe atij në Skandinavi, ku është shpallur 12 herë kampion i Suedisë. Aktualisht, në kampionatin që vijon në Suedi verdheblutë ndodhen në vendin e 3-të me 26 pikë, 1 më pak se kryesuesit e Mjallby.
Nga ana tjetër, për Dodajn, i cili ishte një nga zbulimet e sezonit në Superiore, kjo do të ishte një lëvizje e rëndësishme në karrierë. Me sulmuesin, i cili luajti sezonin e tij të parë të plotë si profesionist në edicionin 2024-‘25, ku me Vllazninë zbriti 37 herë në fushë në kampionat, duke shënuar edhe 6 gola. Tashmë, gjatë këtyre javëve mund të ketë zhvillime të shumta për sa i përket së ardhmes së 19- vjeçarit, që është një futbollist me potencial konkret për një transferim jashtë vendit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













