EKSKLUZIVE/ Shaba analizon situatën te kuqeblutë: Balaj është ylli, Vllaznia nuk ka plan ‘B’. S’e kuptoj pse Dodaj qëndron në stol (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2025 | 20:46

EKSKLUZIVE/ Shaba analizon situatën te kuqeblutë: Balaj është ylli, Vllaznia nuk ka plan ‘B’. S’e kuptoj pse Dodaj qëndron në stol (E PLOTË)

Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe ish-administratori i klubit kuqeblu, Kujtim Shaba, ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”.shabaShkodrani, në fjalët e tij, ka analizuar klasiken e fundit, Tirana-Vllaznia, duke theksuar se ishte një lojë e mërzitshme dhe se rezultati ishte i drejtë. Ish-mbrojtësi, po ashtu, komenton edhe lojën e Vllaznisë, ku ka disa këshilla për kuqeblutë, për të cilët tregon se u mungon “plani B”.

Tirana-Vllaznia, një barazim 0-0, i drejtë?

Ishte një ndeshje pa shumë emocione, pa ritëm dhe pa grintë nga ana e të dyja ekipeve. Vllaznia nuk u ngrit asnjëherë mbi nivel, e ndoshta diçka më mirë ishte Tirana, pasi u përpoqën, por pa cilësi dhe saktësi. Ashtu siç e tregon rezultati, që mund të jetë më i mërzitshmi për një ndeshje futbolli, ashtu ishte edhe klasikja e fundit. Barazimi ishte i drejtë për atë çfarë ekipet prodhuan në fushën e lojës.

Si u dukën shkodranët në syrin tuaj në këtë duel?

Ishte një pjesë e parë shumë e dobët e Vllaznisë, ashtu siç ndodhi edhe në ndeshjen me Partizanin. Për mua ajo çfarë më bën përshtypje është loja e dobët e mesfushës. Rikthimi i Qatos nuk më duket në nivelin e duhur, ndoshta edhe duke mos pasur formën më të mirë fizike. Por, në mendimin tim, as Deliu dhe as Kahrimanoviç nuk arrijnë të bëjnë diferencë në skuadër.

Mund të kishte një qasje tjetër skuadra në këtë duel?

Besoj se duhet të kishte një emocion dhe ndjenjë tjetër ky 90-minutësh, sepse po luhej klasikja. Një ekip për të marrë një fitore duhet të presojë lart. Fakt që Vllaznia nuk e bëri asnjëherë kundër Tiranës. Skuadra ishte e rrezikshme vetëm nga kundërsulmet dhe priste gabimin e kundërshtarit e po ashtu synohej gjatë gjithë kohës Balaj me topat e gjatë. Një mënyrë loje e pasuksesshme në këndvështrimin tim.

Ndryshimet në formacion këto javë si i komentoni?

Vllaznia iu ka dhënë historikisht hapësira djemve të rinj dhe shkodranë. Kjo, pasi kanë edhe më pak kosto për klubin e mund të përfitohet prej tyre. Nuk e kuptoj pse Dodaj po qëndron në stol, sepse është një lojtar që ndoshta u aktivizua nga “halli” dhe sepse ekipi kishte shumë mungesa, por e mori me meritë formacionin. Dhe është një lojtar që pretendon të shesësh, por aty ka edhe emra si Tafili apo Delaj, që ende nuk iu është dhënë shansi sa duhet.

Cila është skuadra që momentalisht bind më shumë në këto momente?

Nëse ka një ekip që e shoh mbi të tjerët momentalisht është Egnatia. Për nga mënyra se si shprehen në fushën e lojës, se si imponohen ndaj kundërshtarit me mënyrën e tyre të qarkullimit të topit. Po ashtu, me një stol të pasur, luks që nuk e kanë ekipet e tjera të Superiores në opinionin tim.

Sa varet kjo Vllazni nga Balaj?

Çdo skuadër ka një “yll” ku mbështetet dhe fatmirësisht Vllaznia ka “yllin” më të madh të kampionatit, që është Balaj. Edhe ai i vetëm nuk mund të funksionojë, pasi e kemi parë që thuajse gjatë gjithë kohës luhet me topa në drejtim të Balajt, në mënyrë që të krijohet sponda apo ndonjë rast i rrezikshëm. Balaj e kryen në perfeksion detyrën e tij si sulmues dhe kapiten. Por ekipi duhet të ketë edhe një “plan B”, kur gjërat nuk ecin. Plan që momentalisht te Vllaznia nuk e shoh.

Besoni se Vllaznia i ka shanset për titull këtë sezon?

Si shkodran, si ish-futbollist kampion dhe si ish-drejtues, patjetër dua që Vllaznia të rikthejë titullin që mungon prej vitesh. Unë them se ekipi i ka mundësitë për ta bërë, por duhet të ndryshojë ritmin se si i zhvillon ndeshjet. Duhet të futet në fushë me një mentalitet për të dominuar ndeshjet. E kuptoj që “Final 4” tashmë është siguruar dhe ndoshta ekipin ruan forcat, por duhet të tregojë “dhëmbët” dhe vlerat e futbollistëve që ka në përbërje.

Dueli i radhës para pushimeve me Skënderbeun, si e parashikoni?

Ne si shkodranë shkojmë mirë me korçarët dhe marrëdhëniet me ta i kemi pasur gjithmonë të shkëlqyera (qesh). Përtej shakasë shoh një Skënderbe në vështirësi dhe të thyeshëm lehtë, këtë e tregoi edhe humbja e fundit me Partizanin. Besoj se Vllaznia me përqendrim dhe mos nënvlerësim e kalon pa probleme e sidomos para tifozërisë së saj. Them se do jetë Vllaznia që do të dalë me 3 pikët nga ky duel.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL