EKSKLUZIVE/ Salihi analizon “Klasiken”: Vllaznia më surprizoi, Tirana duhet të gjejë veten (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2025 | 20:34

EKSKLUZIVE/ Salihi analizon “Klasiken”: Vllaznia më surprizoi, Tirana duhet të gjejë veten (E PLOTË)

Në prag të “klasikes” së futbollit shqiptar, një nga zërat më të respektuar të futbollit tonë, Hamdi Salihi flet për gjendjen aktuale të dy skuadrave më të titulluara në vend, Vllaznisë dhe Tiranës.-900-0-1716842557xseleksionimi-3-2048x1042-711Ai ndalet te diferencat mes tyre, mënyra si janë ndërtuar ekipet, te objektivat që kanë për këtë sezon dhe te mënyra si shihet përballja e madhe që gjithmonë ndez pasionin e tifozëve. Në këtë bisedë, ai komenton edhe ecurinë e futbollit shqiptar, largimet e shpeshta të talenteve dhe forcimin e kombëtares, e cila tashmë është shumë pranë një tjetër arritjeje historike.

I ke parë dy skuadrat Vllazninë dhe Tiranën?

Po, me thënë të drejtën, kam parë më shumë ndeshjet e Vllaznisë dhe pak të Tiranës. Kam parë disa ndeshje të Tiranës. Janë ekipet më me emër, më me zë në futbollin shqiptar, por janë në dy situata të ndryshme për momentin. Vllaznia është e konsoliduar dhe pretendente për titull, ndërsa Tirana është akoma në ndërtim dhe në kërkim të identitetit. Duke marrë parasysh gjithçka, Vllaznia më ka pëlqyer.

Vllaznia të ka pëlqyer për mënyrën sesi e ndërtoi skuadrën, si luan, qëllimin që i ka vënë vetes objektivin që të dalë kampione dhe nuk fshihet më…

Unë kam qenë gjatë verës në Shqipëri, gjatë kohës kur zhvilloheshin ndeshjet europiane, dhe kam folur pak edhe me Edin dhe me Vlorin. Unë kam qenë gjatë verës në Shqipëri, gjatë kohës kur zhvilloheshin ndeshjet europiane, dhe kam folur pak edhe me Edin dhe me Vlorin. Ata kishin ekipin e tyre të ndërtuar paraprakisht, në mendjen e tyre 100%, dhe më vjen mirë që gjithçka u ka shkuar ashtu siç e kishin menduar. Çdo ditë e më shumë ekipi konsolidohet, merr vetëbesim dhe bëhet përditë e më mirë për mënyrën e lojës.

Një Vllazni shkodrane…

Më vjen mirë që luajnë shumë shkodranë, por nuk jam nga ata që vlerësojnë vetëm vendasit. I vlerësoj edhe kontributet e lojtarëve të tjerë, të huajve që luajnë dhe japin shumë. Ka një qetësi, kanë krijuar një qetësi, nuk ka shumë dramë, siç thuhet, brenda ekipit. Të gjithë, lojtarët, stafi, drejtuesit, tifozët janë me një mendje, por me qetësi, me këmbë në tokë, duke marrë ndeshjet një e nga një, dhe shpresoj që të shkojnë kështu deri në fund. Sa më shumë kalon koha, aq më e mirë dhe më e bukur bëhet për t’u parë, sepse çdo ditë ekipi fiton më shumë vetëbesim dhe konsolidohet gjithnjë e më shumë si grup.

E kuptoj… po Tiranën, the që e ke parë pak, por gjendja, the, nuk është e mirë?

Tiranën e kam parë në dy ndeshje, me thënë të drejtën, dhe më duket që ka lojtarë me potencial, si të huajt ashtu edhe shqiptarët, por është shumë kaotike. Akoma duan pak kohë, për mendimin tim, që të konsolidohen dhe të krijojnë një identitet. Por kjo kohë që kalon, e ka edhe të keqen e vet, sepse ndeshjet ikin, rivalët marrin pikë dhe shkëputen. Nuk e di sa kohë do t’i duhet dhe sa kohë ka në dispozicion për të ndërtuar ekipin pretendues.

Si shihet klasikja në të dyja kampet?

Është një ndeshje historike, një ndeshje që gjithmonë tërheq vëmendje. Janë ndeshje të bukura edhe për njerëzit që s’janë pjesë e këtyre dy ekipeve. Janë ndeshje të bukura për këdo që i sheh, janë ndeshje që e bëjnë më interesant kampionatin. Unë kam luajtur me të dyja ekipet, në të dy krahët, dhe nuk ka rëndësi gjendja që po kalon apo renditja ku je në tabelë. Ndeshje si ajo mes Tiranës e Partizanit, për shembull, nuk kanë rëndësi as gjendja që po kalon ekipi, as renditja, as pikët. Këto ndeshje luhen gjithmonë si finale, si të ishin ndeshje teke, dhe nuk kalkulohet asgjë.

Po këtë herë si do të jetë klasikja?

Jam 100% i sigurt që prapë do të jetë një ndeshje e bukur dhe nuk do të ndikojnë aspak renditja apo forma që po kalon njëri apo tjetri ekip.

Cila skuadër e fiton ndeshjen?

Favoritja teorikisht i bie të jetë Vllaznia, për renditjen dhe për atë që kërkon, por, siç thashë, kur vjen puna te këto ndeshje, si Tirana ashtu edhe Vllaznia kanë të njëjtin mentalitet, të njëjtin presion dhe të njëjtën mënyrë për ta përgatitur ndeshjen. Është gjithmonë e paparashikueshme, sepse nuk rrinë duke bërë llogari.

Normalisht, Vllaznia është renditur më mirë, por këto janë ndeshje që luhen si finale, pa marrë parasysh nëse një ekip po kalon formë të mirë apo jo. Stafi, trajnerët, drejtuesit, tifozët, sportdashësit janë të gjithë me një frymë që duan që Vllaznia ta fitojë edhe këtë herë kampionatin dhe ta kthejë sërish në Shkodër.

Titulli është gjithmonë i bukur, sidomos kur kanë kaluar kaq shumë vite. Nuk e mendon njeri se kanë kaluar tashmë 25 vite, dhe Vllaznia ka pasur disa herë ekipe shumë të mira, që mendohej se do të fitonin titullin, por nuk ia dolën. Kështu që, sa më shumë kalojnë vitet, aq më e dëshiruar bëhet fitorja.

Futbollin shqiptar e ke parë, si të duket niveli?

Me thënë të drejtën, e kam parë edhe më përpara, dhe më vjen mirë që niveli është rritur. Kushtet dhe infrastruktura janë përmirësuar, kemi rritur kërkesat edhe në garat ndërkombëtare. Po fillojmë ngadalë-ngadalë të kalojmë ekipet e mira të rajonit, ekipet që më parë nuk i kalonim dot, si Dinamoja, Egnatia, etj. Më gëzon kjo, por ka edhe një anë tjetër.

E kam thënë edhe më parë, për shkak të kontakteve, hapjeve dhe vlerësimit që të tjerët i bëjnë kampionatit shqiptar, lojtarët më të mirë të kampionatit ikin shumë shpejt jashtë. Kjo, për mendimin tim, është mirë për ta vetë, për karrierën e tyre, por dëmton kampionatin. Hamdi Salihi ose lojtarë të atij kalibri mungojnë në kampionat.

Dikur kishte lojtarë që shënonin 20-25 gola në sezon, dhe ishte shumë e vështirë të iknin menjëherë?

Kjo ndodh shpesh, si me lojtarët e Partizanit që ikin në grup përnjëherë, apo me Dinamon, njësoj. Nuk krijohen më lojtarë që qëndrojnë gjatë, me 6 muaj apo një vit shkëlqejnë dhe ikin jashtë shumë shpejt. Kjo nuk më pëlqen, sepse bie cilësia e kampionatit dhe krijohet konfuzion brenda ekipeve të tyre. Sot një lojtar i talentuar, që shënon 10 gola për gjashtë muaj, ikën menjëherë jashtë. Siç kemi parë rastin e Muçit dhe shumë të tjerëve, janë lojtarë që po të qëndronin në kampionat, do t’i jepnin më shumë vlerë. Por, njëkohësisht, ka rënë edhe cilësia e lojtarëve “numër 10”, e fantazistëve, për të thënë të drejtën.Sepse më përpara, përveç atyre që shënonin, kishte edhe fantazistë që bënin nga 20-25 asiste për çdo kampionat, si Devi Muka, Duro, Bylykbashi, dhe të tjerë lojtarë që kishin shumë fantazi.

Tani për kombëtaren. Fituam në serbi dhe jemi me një këmbë në “play off” … Kombëtarja është shumë pranë kualifikimit në “playoff”. Ju keni pasur një rol edhe më parë, si lojtar dhe si ndihmës trajner. Si e keni parë?

Kombëtarja është pika më e ndjeshme për të gjithë ata që merren me sport, sepse është nder dhe krenari për profesionin që bëjnë. Jemi me fat që kombëtarja ka arritur në këto nivele, që çdo kompeticion e luan deri në fund, deri në ndeshjet e fundit. Ka rritur emocionin dhe interesin e gjithë sportdashësve, sepse ka qenë një kohë kur ishim pa shpresë që në fillim të ndeshjeve të grupit, nuk kishte më shpresë për asgjë. Tani, në çdo kompeticion që marrim pjesë, ose arrijmë të kualifikohemi, ose luftojmë deri në fund.

Kjo është diçka shumë e madhe për kombëtaren tonë dhe për një vend të vogël si Shqipëria. Jemi shumë afër, por s’ka mbaruar ende. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse gjithmonë ndeshjet që na duhen më shumë, janë më të vështirat për ne. Duhet t’i marrim gjërat me radhë, një e nga një, dhe shpresoj që në nëntor të kemi të njëjtin entuziazëm dhe festë që kishim në ndeshjet e tetorit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL