EKSKLUZIVE/ Preka zgjedh titullin me Partizanin para transferimit jashtë: Sfidë dhe përgjegjësi që ndjej
Marçelino Preka ësh të një prej liderëve të rinj të Partizanit, tashmë titullar i padiskutueshëm në mbrojtje që nga sezoni i kaluar. Mbrojtësi shkodran, që këtë muaj mbushi 22 vjeç, ka hyrë në sezonin e tij të katërt me të kuqtë, duke sjellë qetësi në repartin difensiv.

Në intervistën për “Panorama Sport”, Preka thekson përgjegjësinë që ndjen në moshë të re dhe motivimin që i japin besimi i trajnerëve dhe shokëve të skuadrës. Ofertat nga jashtë nuk e shpërqendrojnë, fokusi i tij mbetet te Partizani dhe ndërtimi i një baze të fortë për të ardhmen. Pas zhgënjimit në Europë, mbrojtësi vlerëson karakterin e skuadrës dhe profesionalizmin që po tregon për t’u rikthyer te kampionati.
Bashkëpunimi me trajnerin e ri, Mladen Milinkoviç, dhe lojtarët nga akademia krijon një frymë pozitive dhe ambicie për të fituar trofe. Preka synon të jetë shembull për të rinjtë, të rritet si lojtar dhe të ndihmojë Partizanin të arrijë majat e futbollit shqiptar. Fitimin e titullit e tregon me një rëndësi të madhe, para edhe objektivave personalë siç mund të jetë transferimi jashtë Shqipërisë.
Prej sezonit të kaluar jeni kthyer në shtyllën kryesore të mbrojtjes së Partizanit. Si e keni ndjerë këtë përgjegjësi të madhe në një moshë të re?
Është një përgjegjësi që e marr me shumë seriozitet dhe nder. Edhe pse jam i ri në moshë jam i vetëdijshëm që përkushtimi dhe puna e vazhdueshme janë çelësi për të qenë shtyllë e ekipit. Më motivon fakti që kam pas besimin e trajnerëve dhe shokëve të skuadrës, dhe përpiqem çdo ditë të rritem dhe të jap maksimumin.
Është folur për oferta nga jashtë. Çfarë ndikimi kanë te ti këto momente delikate për të ardhmen?
Oferta nga jashtë janë një pjesë natyrale e karrierës së çdo futbollisti që dëshiron të ecë përpara. Por për momentin fokusi im kryesor është te Partizani dhe të jap maksimumin këtu. Besoj se çdo gjë do të vijë në kohën e duhur dhe unë jam i përqendruar që të ndërtoj një bazë të fortë për të ardhmen.
Pas eliminimit në Europë, sa e vështirë ka qenë për ju dhe skuadrën që të ktheheni me fokusin te kampionati?
Sigurisht që eliminimi ishte një zhgënjim për ne të gjithë, por futbolli ka dhe këto momente. E rëndësishme është të kthehemi me kokën lart dhe të përqendrohemi te kampionati që është objektivi ynë kryesor. Ekipi ka treguar karakter dhe profesionalizëm për tu rikthyer në formën më të mirë.
Keni kaluar tashmë disa ditë nën drejtimin e trajnerit të ri, Mladen Milinkoviç. Përshkrimi i kësaj periudhe të re…
Periudha e re është një sfidë pozitive për ne. Trajneri Milinkoviç ka sjellë një frymë të re në ekip dhe po punojmë fort për të kuptuar dhe zbatuar idetë e tij. Bashkëpunimi mes stafit dhe lojtarëve është shumë i mirë dhe besoj që kjo do të reflektohet edhe në rezultatet në fushë.
Te Partizani është një grup, me lojtarë nga akademia. Çfarë ndikimi ka brenda skuadrës?
Është ndjesi e bukur të luaj me shokë që kanë dalë nga akademia jonë. Kjo krijon një lidhje të veçantë dhe një kuptim më të thellë për vlerat e klubit. Bashkërisht kemi një përgjegjësi të madhe për të mbajtur lart emrin e Partizanit dhe për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme.
Ju shfaqeni i qetë në lojë, edhe në momentet më të tensionuara. A është kjo pjesë e karakterit tuaj, apo është diçka që e keni ndërtuar me kohën?
Është një kombinim i të dyjave. Në natyrën time jam person i qetë dhe i përqendruar por gjithashtu kjo qetësi është edhe rezultat i përvojës dhe punës që kam bërë për të menaxhuar presionin dhe situatat e vështira gjatë lojës.
Si e shihni për Partizanin, sezonin që nis së shpejti?
Cilat janë pritshmëritë tuaja personale dhe të skuadrës? Pritshmëritë janë të larta si për mua personalisht ashtu edhe për skuadrën. Duam të luftojmë për çdo pikë dhe të arrijmë objektivat që kemi. Është sezoni për të treguar karakter dhe për tu rikthyer aty ku Partizanit i takon, në majat e futbollit shqiptar.
Ëndrra për të cilën po punon Preka?
Ëndrra ime është të jap më të mirën në çdo ndeshje, të fitoj trofe me Partizanin dhe të jem një shembull për të rinjtë që vijnë pas meje. Gjithashtu dua të vazhdoj të rritem si lojtar dhe si person dhe të përfaqësoj me nder klubin dhe vendin tim.
Nëse do të duhej të zgjidhnit mes një transferimi jashtë apo të fitonit titullin me Partizanin këtë sezon, çfarë do të zgjidhnit?
Per momentin fitimi i titullit me Partizanin ka një rëndësi të madhe për mua. Është një sfidë dhe përgjegjësi që ndjej për klubin dhe tifozët. Suksesi kolektiv dhe krenaria që sjell kjo është ajo që më motivon më shumë tani.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













