EKSKLUZIVE/ Po spikat në Ukrainë, ish-kapiteni Cara: Gega guxoi, e kthen Partizanin për titullin kampion (E PLOTË)
Deri në janar mban te shiritin e kapitenit të Partizanit, teksa si “gjurmë” të tij ka lënë titullin e golashënuesit më të mirë të klubit që nga rikthimi në Superiore në 2013-ën.
Tedi Cara tani po shkëlqen në Ukrainë me Oleksandrian, ku u transferua në janar. Me 4 gola dhe 2 asiste të regjistruara deri më tani, kavajasi i ka dhënë pikë të rëndësishme skuadrës në garën me Dinamon e Kievit për titullin kampion. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Cara flet për nisjen e mbarë në kampionatin ukrainas, ndryshimin me Shqipërinë dhe Partizanin e Gegës. Sulmuesi pret që me tropojanin, ekipi i kuq të kthehet në të zakonshmen e tij, si pretendent për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.
Tedi, në harkun e pak muajve jeni ambientuar në Ukrainë për t’u bërë lojtar kyç i Oleksandrias. Çfarë ju ndihmoi?
Këtu tek Oleksandria më ka ndihmuar shumë stafi dhe shokët e ekipit. Kur erdha në fillim, e kam menduar shumë më të vështirë përshtatjen, por të gjithë kanë qenë mbështetës ndaj meje dhe ma kanë bërë shumë më të thjeshtë ambientimin këtu.
Ku qëndron ndryshimi mes kampionatit ukrainas dhe atij shqiptar? Ka diferenca të mëdha në cilësi dhe në aspektin taktik?
Në aspektin teknik nuk besoj se ka ndonjë diferencë mes këtyre dy kampionateve, por te ritmi mendoj se këtu është më i lartë. Edhe aspekti taktik është pak më lart se në Shqipëri. Këtu e studiojnë shumë fazën mbrojtëse dhe e kanë më të fortë. Shohin me detaje si duhet të mbrohesh ndaj çdo rivali.
Po shënoni rregullisht dhe po asistoni për shokët. Ka ndikuar trajneri mbi detyrat në fushë apo është produkt i formës së mirë?
Mendoj se pozicionimi në fushë ku trajneri (Ruslan Rotan) më ka vendosur, më ka ndihmuar shumë. Mënyra sesi luan futboll ekipi, mua më përshtatet shumë. Jam gjithnjë një kundër një me mbrojtësin e krahut dhe kjo më jep favor të madh në fushë. Mendoj se mënyra sesi ne luajmë dhe sesi trajneri e ndërton lojën më ka ndihmuar më shumë që të arrij të kem këto rezultate. Dua që gjithnjë të përmirësohem sa më shumë.
Flasim pak për Partizanin, që nuk shkoi më shumë se gjysmëfinalet e të dyja kompeticioneve. Mund të bënte më tepër?
Mendoj se Partizani ka bërë mirë, sepse çdo ekip do të haste shumë vështirësi në momentin që të largohet gjysmë e ekipit në mesin e sezonit. Mendoj se me pak fat mund të kishte shkuar edhe më larg. Gjithsesi, unë në tërësi mendoj se ky vit ka qenë pozitiv për Partizanin, sepse ka fituar nga ana financiare, por edhe kualifikimin në Europë e ka arritur.
A prisnit që të ndikonte kaq shumë mungesa juaj dhe e të ikurve të tjerë në janar?
Duke parë që kishim shumë vite bashkë, kishim një manovër të konsoliduar. E njihnim shumë mirë njëritjetrin, unë, Rrapaj, Hadroj dhe Mba merreshim vesh me sy mbyllur. Nisur nga kjo, e kisha menduar se do të kishin vështirësi, ashtu siç edhe mendonte i gjithë opinioni publik dhe trajneri i asaj kohe (Veselinoviç). E kisha përshtypjen se do të haste vështirësi, por nuk prisja që do ta rrezikonte katërshen. Prisja të ishte pak më i qetë në renditje. U vendos në ndeshjen e fundit dhe e rëndësishme është që u arrit Europa.
Mendoni se Partizanit i duhet një riformatim për nisjen e një cikli të ri dhe a besoni se Gega mund t’ia dalë në këtë proces?
Kam besim te trajneri Gega, sepse ai i ka treguar cilësitë e tij. E ka nxjerrë Partizanin kampion në vitin e tij të parë që ka ardhur (2018- 2019). Këtë vit e mori ekipin në një situatë të vështirë. Më ka lënë përshtypje shumë të mirë për guximin, sepse mendoj se shumica e trajnerëve nuk do ta merrnin Partizanin në atë fazë dhe ato vështirësi që ishte, kur kishin mbetur edhe pak javë nga fundi. E përgëzoj për guximin dhe pres që sezoni i ri me Gegën do të tregojë një Partizan siç ka qenë më parë, konkurrues për titullin kampion.
Çfarë i mungoi Partizanit në gjysmëfinalen kundër Egnatias? Përse vuajnë kaq shumë të kuqtë përballë Egnatias?
Për mendimin tim i mungoi pak agresiviteti në 20 metrat e fundit. Po të kishin më shumë besim dhe të sulmonin më shumë në fazën finale të lojës, mund të kishin bërë diçka më shumë. I pashë pak si të stepur, ndoshta prej avantazhit të barazimit që Egnatia kishte.
Luhet finalja e titullit mes Egnatias dhe Vllaznisë. Cila mendoni se është favorite?
Egnatia e fitoi edhe vjet, në vitet e fundit rrogozhinasit kanë luajtur shumë finale dhe e dinë specifikën e këtyre ndeshjeve. Janë më ekspertë se Vllaznia në këtë aspekt, janë më të qetë. Kanë fituar trofe në këto vite dhe mendoj se ky fakt e avantazhon pak më shumë Egnatian.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













