EKSKLUZIVE/ Përmbysi i vetëm Teutën, bomberi Lleshi: Benzema frymëzim, golat ja dedikoj… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 21:37

EKSKLUZIVE/ Përmbysi i vetëm Teutën, bomberi Lleshi: Benzema frymëzim, golat ja dedikoj… (E PLOTË)

Elbasani “gjen” më në fund bomberin që i mungonte dhe ai është Arsen Lleshi.LLESHI

Besimin që po merr nga trajneri Ivan Gvozdenoviç, 25-vjeçari e ka shpërblyer me 4 gola në 3 ndeshje, duke shkuar kështu në kuotën e 7 golave në total. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas ndeshjes, me topin e firmosur nga shokët e skuadrës, sulmuesi elbasanas nuk e fsheh kënaqësinë për tripletën. Golat ai ia dedikon skuadrës dhe tifozëve, ndërsa tani kërkon edhe avancimin në kupë. Është një sulmues i ftohtë dhe nuk ka “fiksim” të veçantë për golat, sepse mendon më shumë për skuadrën, ndërsa lojtari që e frymëzon më shumë është Karim Benzema.

Lleshi, shënuat tre gola dhe i dhatë fitoren skuadrës. E prisnit këtë paraqitje?

Unë përpiqem që sa herë më jepet mundësia, të jap maksimumin tim në fushë për të ndihmuar skuadrën. Stërvitem çdo ditë për këtë gjë dhe këtë herë për fat të mirë shënova golat që i dhanë Elbasanit fitoren.

Tani keni shkuar në kuotën e 7 golave. E synoni “Këpucën e Artë”? Për mua është gjithnjë më e rëndësishmja ndeshja e radhës. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë në vazhdim, por siç e thashë, do të bëj të pamundurën të ndihmoj skuadrën për të realizuar synimet.

Gvozdenoviç po ju jep më shumë besim se trajneri i mëparshëm dhe ju po e shpërbleni… Normalisht, jam shumë i lumtur që trajneri po më jep besimin për të luajtur. Përpiqem të bëj detyrën time kur futem në fushë dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitjet pozitive.

Kujt ia dedikoni këtë tripletë?

Golat i shkojnë gjithë skuadrës, djemve, stafit, tifozëve. Pa ata nuk do të ishte e mundur të shënoja, ndaj golat i shkojnë gjithë ekipit.

Cilin gol do të konsideroje më të bukurin dhe pse? Të tre kanë veçantinë e vet në fakt dhe një sulmues nuk e ka të lehtë të zgjedhë golin më të bukur. Megjithatë, ndoshta goli i dytë është më i bukur edhe për vetë faktin që morëm avantazhin.

E dini që sa herë keni shënuar ju, Elbasani ka fituar? (Qesh). Nuk e kam vënë shumë re në fakt këtë gjë. Më vjen mirë që është kështu dhe do të përpiqem që të shënoj gjithnjë, që edhe skuadra të marrë fitoret.

Sërish me Teutën në mesjavë, por në kupë. Prisni një tjetër paraqitje të tillë? Pas kësaj ndeshjeje do të fillojmë të mendojmë për kupën. Është përballje e vështirë, por ne i shohim ndeshjet me radhë dhe tani fokusi është te kupa. Do të përpiqemi të avancojmë. Nëse shënoj unë apo jo, nuk ka rëndësi, pasi kryesorja është që skuadra të marrë rezultatin.

Keni një sulmues që e simpatizoni? Nuk është se jam i fiksuar shumë në fakt. Por, ndoshta Benzema është ai që më stimulon më shumë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"