EKSKLUZIVE/ “Përgëzoj Sinanin, tani presim rezultatet”, analiza e Ervis Krajës: Rivalët e Vllaznisë do të jenë Egnatia, Dinamo dhe…
Nga Australia ku jeton prej disa vitesh tash më, për “Panorama Sport” ka folur ekskluzivisht, Ervis Kraja. Ish-mbrojtësi kampion me Vllazninë në sezonin 2000-01 dhe ish-trajner i kuqebluve për një periudhë të shkurtër në vitin 2017.

Shkodrani ka analizuar startin e këtij kampionati, duke komentuar se pret një garë të fortë këtë edicion në Superiore. Në veçanti ai është ndalur edhe tek Vllaznia, ku vlerëson merkaton e zhvilluar nga klubi, por që futbollistët duhet të shikohen në fushën e lojës. Kraja po ashtu këshillon skuadrën që të qëndrojë larg presionit, që sipas tij mund të reflektohet në fushën e lojës, prandaj edhe performancat e skuadrës janë të luhatshme herë pas here.
Si i keni parë këto dy javë të Superiores në përgjithësi? Mendoj se është një fillim normal i edicionit, skuadrat ende nuk kanë kapur formën e tyre maksimale dhe ndoshta duan edhe pak kohë që t’i shohim në 100%. Duke e parë nga jashtë dhe nga larg, ekipet më duket më të mirë organizuara dhe duket se i kanë marrë seriozisht përgatitjet verore. Them se do të jetë një kampionat i fortë dhe rivalizues deri në fundin e tij. Aktualisht nuk ka pasur ndonjë surprizë të madhe, por është vetëm fillimi dhe do të presim sa të “nxehet” gara.
Vllaznia, disi ndryshe nga sezoni i shkuar apo jo? Po, shoh disa ndryshime në krahasim me edicionin e shkuar. Duket se skuadra ka më dëshirë dhe grintë për të luajtur futboll. Dhe ky është një faktor kyç për të arritur tek sukseset në fund. Shpresoj që këto ndryshime të reflektojnë për mirë në skuadër, por shoh diçka që nuk më pëlqen në këto ndeshje të para. Skuadra më duket nën presion dhe uroj që gjithçka të jetë në rregull brenda dhe të mos ketë diçka që do të reflektonte në fushën e lojës. Për të shmangur luhatjet, duhet shmangur ose evituar sa më shumë presioni dhe trysni mbi ekipin.
Kanë një “fytyrë” tjetër tashmë kuqeblutë? Unë shpresoj që Vllaznia të zhvillojë një kampionat në lartësinë e emrit dhe fanellës së saj. Sepse organizimi duket shumë serioz, pavarësisht se ndoshta jemi herët për të folur, por “masat” për të pasur një ekip të fortë janë marrë në kohën e duhur. Personalisht do të doja që edhe një biznesmen si Ardit Kraja të ishte sërish pranë ekipit me mbështetjen e tij. Diçka që do të garantonte një Vllazni akoma më të fortë dhe më të “frikshme”.
Klubi nuk ka ndjekur trendin me afrimin e shumë futbollistëve të huaj, zgjedhja e duhur? Absolutisht zgjedhja e duhur dhe më e mira, jemi mësuar që edhe në vitet e shkuara të kenë ardhur shumë të huaj. Nuk dua të nënvlerësoj askënd, por pak prej tyre mund të kenë ngelur në memorien e tifozëve dhe mund t’i numërosh me gishta. Në këtë mënyrë, dështimet nga ana e futbollistëve të huaj kanë qenë të shumta. Prandaj shumë mirë që i besohet elementit vendas dhe futbollistëve nga Kosova, që po ashtu janë shqiptarë. Mendoj se këtë shembull duhet të ndjekin të gjitha ekipet, sepse me këtë formulë ku të huajt janë pa limit, “vritet” futbolli i moshave.
Çfarë mund të presim nga skuadra në javët e ardhshme? Presim të “kolaudohet” totalisht dhe futbollistët të vijnë në formën e tyre ideale. Bazuar ndoshta edhe në formën që mund të tregojnë disa prej tyre, mund të ketë ndryshime edhe në formacion apo vendosjen e skuadrës në fushë. Megjithëse këto janë gjëra që më mirë se kushdo i di trajneri dhe stafi teknik. Mendoj se Vllaznia ka futbollistë mjaftueshëm për të interpretuar mënyra dhe situata të ndryshme gjatë një 90 minutëshi.
Kush do të thoshe se janë rivalët e shkodranëve këtë edicion? Nuk mendoj të ketë ndryshime në krahasim me sezonin e shkuar. Them se rivalët e Vllaznisë do të vijojnë të jenë Egnatia, Dinamo dhe Partizani. Këto tre skuadra së bashku me kuqeblutë i shoh si më të kompletuarat. Gjatë edicionit mund të ketë edhe ndonjë surprizë, por nga organika dhe eksperienca e këtyre ekipeve besoj se do të jenë sërish ato që do të bëjnë diferencën.
Si do e vlerësoje merkaton e kësaj vere nga ana e drejtuesve? Them se ka qenë një merkato shumë e mirë; janë afruar futbollistë që në CV-në e tyre konsiderohen shumë të rëndësishëm. Dhe për këtë duhet përgëzuar drejtori Sinani, e po ashtu klubi, që ka sakrifikuar për të afruar të tillë futbollistë në skuadër. Tashmë duhet të presim pak që t’i shohim në potencialin e tyre të plotë. Pasi realisht, ndeshja e fundit me Dinamon më la një shije të hidhur dhe uroj që në ndeshjet e rradhës, ekipi të jetë në formën e duhur dhe të dhurojë një futboll të mirë dhe t’u shijuar.
Ndeshja e radhës në Shkodër me Partizanin, si e analizon një duel të tillë? Ky duel, në mendimin tim, do të jetë një test i vërtetë për vazhdimësinë e kësaj skuadre. Përballë do të jetë një nga ekipet më të mira në vend dhe një sfidë që mbart shumë histori. Shpresoj që edhe tifozeria të jetë e shumtë në shkallët e stadiumit dhe Vllaznia t’i shpërblejë me një fitore. Kam besimin se kuqeblutë do e kalojnë me sukses dhe fitore një duel të tillë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













