EKSKLUZIVE/ “Peng se nuk kishim stadium”, Shkëmbi rrëfehet: Nga Tirana më largoi… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2025 | 21:47

EKSKLUZIVE/ “Peng se nuk kishim stadium”, Shkëmbi rrëfehet: Nga Tirana më largoi… (E PLOTË)

Bledi Shkëmbi rrëfen 302 ditët e tij si trajner i Tiranës. Pas largimit nga bardheblutë dhe emërimit në krye të Strugës, korçari i kryeqytetasve ekskluzivisht për “Panorama Sport” tregon të vërtetën e tij.

BLEDI SHKEMBI

Thotë se problemi më i madh i Tiranës së tij ishte mospasja e fushës ku luheshin ndeshjet. Nga ana tjetër, ai pranon se faktori kohë vendosi në një farë mënyre ndarjen mes palëve. Falënderime për drejtuesit, por edhe shumë të fshehta të rrëfyera gjatë kohës si trajneri i Tiranës.

Urime për emërimin, detyrën dhe skuadrën e re! Një zgjedhje që erdhi menjëherë. Si e shihni? Faleminderit për urimin! Zgjedhja nuk erdhi përnjëherë. Unë kisha kohë që kisha marrë sinjale nga klubi “Struga Trim & Lum”, por në fillim dëshira ishte që të vazhdoja me klubin “Tirana”, pra të vazhdoja kontratën. Patjetër që duhej të ulesha me presidentin Halili, domethënë, me klubin e Tiranës për t’i bërë gjërat e pjekura dhe pastaj të vendosja për të ardhmen. Për fat të mirë, dhe një falënderim i madh shkon për klubin e Strugës, që më kuptuan dhe patën durimin për të më pritur. Kjo tregon vlerësim dhe për këtë dua t’i falënderoj shumë.

Te Tirana palët u ndanë me një shtrëngim duarsh. Do të kishit dashur të vazhdonit? Unë e kam thënë, nuk e kam fshehur. Do të dëshiroja shumë të vazhdoja, të paktën edhe një vit. Pavarësisht shumë problemeve që patëm, mendoj që ajo skuadër ka brumë dhe me disa përforcime mund të bëhet shumë e fortë. Kjo sepse, pavarësisht rezultateve, jam i bindur se me mënyrën se si luanin janë një skuadër e fortë, një skuadër e mirë. Që shkuam në atë pikë dhe patëm ato rezultate, ka shumë e shumë arsye dhe patjetër që është përgjegjësi dhe e imja dhe lojtarëve. Kjo nuk diskutohet, sepse duhet të bënim më mirë. Duke parë këto, mendoj se me disa përforcime mund të bëhej një skuadër shumë e fortë dhe kjo ishte edhe arsyeja që unë doja të vazhdoja. Por, këto janë gjëra që duhet të sqarohen. Edhe unë edhe klubi kishim kërkesat tona, mundësitë tona, që në fund na çuan me mirëkuptim te kjo ndarje.

Kjo ndarje ishte për çështje kohe apo kishte dhe gjëra të tjera? Unë mund të them se më shumë ndarja ishte për çështje kohe.

Keni qëndruar 300 ditë te Tirana dhe njeriu ka pengje, ka arritje. Cili është pengu juaj më i madh këtë vit? Pengu im më i madh i këtij viti është se ne nuk kishim stadium ku të luanim, pra nuk kishim fushë. Dhe, ky ishte momenti më delikat. Unë e ndieja se ne duhet të kishim një shtëpi për të dhënë maksimumin, sepse një skuadër siç ishim ne, e re, e sapoformuar kishim nevojë për një shtëpi, kishim nevojë për tifozët që t’i kishim afër. Dhe më e rëndësishmja, kishim nevojë për një fushë të mirë, sepse luanim të luanim futboll të mirë. Të paktën mendoj, se mënyrën se si luanim futboll e tregonim në çdo fushë. Ky është pengu im më i madh. Pra, në momentin tonë më delikat, kishim shumë gjëra kundër. Pastaj, për këtë jam i vetëdijshëm dhe nuk është justifikim, në momente të veçanta gabimet e disa arbitrave bënë që ne të mbeteshim aty poshtë, të mos e bënim atë hapin për t’u ngjitur lart.

Çfarë mendoni se mund të kishit bërë më mirë? Sigurisht që nuk jam i kënaqur me veten dhe patjetër që mund të kisha bërë shumë më mirë ndoshta në shumë situata. Specifike është pak e vështirë t’i vë vendin, por ka pasur ndeshje të veçanta që çdo trajnerë që mund të kenë pasur pikëpyetje dhe nuk i kanë dalë gjërat ashtu si duhet, flas nga ana teknike. Pastaj…

Në fazën e tretë dhe të katërt, atë që dhe ju e thatë që luanit mirë, ishte e skuadër e mirë dhe me pak përforcime mund të ishte bërë skuadër e fortë, por gjithsesi ato rezultate nuk erdhën. Përveç fushës, çfarë ndodhi? Ishte e vështirë. Skuadra sa vinte e rëndohej më shumë nga ana psikologjike. E shihja që ndihej ajo pjesa e rezultatit, ndjehej shumë situata, fanella te shumë futbollistë. Një problem tjetër ishin dhe lojtarët e huaj deri sa e kuptonin se ku ishin këtu. Ne u shpjegonim atyre që kjo situatë për këtë grup nuk është normale. Kishte shumë gjëra, por që në fund ndoshta edhe cilësia. Duhej të binim dakord që edhe kjo ishte në ndonjë repart të veçantë, por tani unë nuk dua dhe nuk është mirë që të flas.

Ju thatë koha, po largimet e fundit nga skuadra, a ndikuan në vendimin tuaj përfundimtar? Janë larguar 5 futbollistë… Unë kam dashur që grupi kryesor të qëndrojë. Ua thashë që nuk dua dhe ju duhet të më kuptoni që nuk mund të jap emra. Kam dashur që lojtarët kryesorë të qëndrojnë. Kam parë që janë larguar, është larguar edhe kapiteni. Por për të qenë i sinqertë, tani nuk mund të them që shiko se ikën këta, dhe unë vendosa që të largohesha. Ishin shumë, shumë situata që na bënë të ndahemi. Po them na bënë të ndahemi, sepse nuk më pëlqen të them se ika.

Së fundi, një opinion për Tiranën, këtë aventurë dhe për tifozerinë… Unë kam një falënderim për presidentin, drejtorin, Ibrahimin, Grent Halilin. Të gjithë i kisha bashkëpunëtorë, falënderoj futbollistët pa përjashtim. Presidenti i klubit më dha mundësinë që të jem trajneri gati për një vit i klubit më të madh në Shqipëri. Kjo është kënaqësi e veçantë. Patjetër që do të doja që situata të ishte ndryshe. Një falënderim shumë i madh shkon për të gjithë tifozët që më kanë mbështetur dhe unë e ndieja që nuk ishin pak. Kam ikur me bindjen që përsëri do të kthehem një ditë, ndoshta për të bërë shumë më mirë se sa bëmë. Por dua ta theksoj që gjithçka e kam bërë me korrektësi, me profesionalizëm dhe te kjo pjesë nuk kam asnjë lloj pengu. Të vetmin peng që kam është rezultati. Atë çfarë kam dhënë unë dhe stafi nuk kam peng.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL