EKSKLUZIVE/ Partizani “zgjohet” në merkato, vjen pasuesi i Kristian Mba dhe qendërmbrojtësi vlonjat
Partizani zgjohet në merkato dhe duket se është pranë afrimit të një sulmuesi nigerian.
“Panorama Sport” mëson se Blesing Eleke, aktualisht pa klub, është në negociata të avancuara me të kuqtë. Në ditët në vijim operacioni pritet të kalojë edhe në dokumentacione për ta bërë nigerianin sulmuesin më të ri të ekipit të kuq. Pas largimit të Kristian Mba, Partizani ishte në kërkim të një “pyke” të fortë dhe duket se ka arritur të gjejë një marrëveshje me 28- vjeçarin, i cili ka një CV shumë të pasur në ekipe mjaft me emër në arenat europiane.
KARRIERA – I dalë nga akademitë nigeriane, në vitin 2014 Eleke zbarkoi në futbollin kroat te klubi i Goricës, si një talent shumë premtues dhe një lojtar që mund të ngjitej në arenat e mëdha të futbollit. Pas dy sezonesh të suksesshme te Gorica, nigeriani kalon në Slloveni te Olimpija Ljubjana për plot 800 mijë euro. Qëndron një vit e gjysmë në Slloveni dhe më pas shitet për të njëjtën shifër te Ashdod në Izrael. Paraqitet mirë edhe atje dhe zbarkon te Luzern në Zvicër po për 800 mijë euro. Zvicra mund të quhet edhe kulmi i karrierës së tij, pasi shënon 13 gola në një sezon të Superligës.
Në vitin 2020 ai kalon në Belgjikë te Bershot për plot 1.5 milionë euro. Por në Belgjikë ai nuk ambientohet dhe këtu nis rënia e tij. Kalim në huazim në Turqi, më pas transferim në Japoni, por asnjë gjurmë. Në mars të 2024-ës kalon te Istiqol në Taxhigistan dhe pesë muaj më vonë shkëput kontratën. Nga gushti Eleke është lojtar i lirë. Te Partizani me siguri ai do të synojë ringritjen në nivelet e dikurshme. Sa i përket aftësive, kemi të bëjmë me një sulmues të fortë, 1.90 metra të gjatë dhe mjaft të rrezikshëm, por mbetet për tu parë forma e tij, pasi ai ka gjashtë muaj pa ekip.
ÇIPI – Të kuqtë kanë mbyllur edhe transferimin e një mbrojtësi të talentuar, Mateo Çipi. “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi i rritur në akademinë e Flamurtarit dhe në Itali pritet të largohet nga ekipi slloven i Triglavës dhe të firmosë me Partizanin për tu bërë një forcë e shtuar në difensivë. Në këtë sezon në Slloveni ai luajti në nëntë ndeshje dhe arriti të shënojë një gol.
20-vjeçari është djali i ish-mbrojtësit të Kombëtares, Geri Çipi. Në të shkuarën Mateo ka luajtur me të rinjtë e Sasuolos, Gentit në Belgjikë dhe me ekipin e Bilje në Slloveni. Çipi pritet të ketë konkurrencë të fortë te “demat”, pasi në të njëjtin repart luajnë Janjeva, Bytyçi, Preka, Sembene dhe Domgjoni.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













