EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk ka cilësi, klubi dështoi në merkato”, Dosti: Presidentit Demi duhet t’i dhimbsen paratë e familjes. Kthimi i Gegës, lëvizje pozitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2025 | 9:22

EKSKLUZIVE/ “Partizani nuk ka cilësi, klubi dështoi në merkato”, Dosti: Presidentit Demi duhet t’i dhimbsen paratë e familjes. Kthimi i Gegës, lëvizje pozitive

Partizani po përjeton jo vetëm një nga momentet më të vështira të këtij sezoni, por edhe të tri sezoneve të fundit.Screenshot_1-71Klubi i kuq që nga nisja e vitit 2025 ka hyrë në një kolaps dhe në shtatë ndeshjet e fundit numëron pesë humbje, një barazim dhe një fitore. Disfata e fundit kundër Dinamos komplikoi gjithçka, duke vënë në rrezik edhe Europën. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i të kuqve, Edmond Dosti, flet për situatën te Partizani, ku nuk i kursen kritikat ndaj klubit, veçanërisht për cilësinë në rënie dhe merkaton e dështuar në verë dhe në janar.

Edmond, përse po vuan Partizani?
E kam thënë edhe më parë. Ekipi duhet të ndërtohet që në verë, me perspektivën për 2- 3 vitet e ardhshme. Partizani gaboi që në verë me lojtarët e afruar. Unë mendoj se një faktor është edhe se nuk kanë pasur njerëzit e duhur për të drejtuar ekipin, të paktën deri dje. Prandaj edhe kanë lindur këto probleme. Gjithashtu, dy lojtarë kryesorë si Cara dhe Rrapaj u larguan në mes të sezonit dhe kjo ka pasur ndikimin e vet të madh, pa dyshim. E shoh ekipin në rënie nga ndeshja në ndeshje. Duhet të shtoj se afrimet e janarit kanë qenë jo cilësore dhe në skuadër nuk ka elemente me personalitet, me karakter fitues. Nuk shoh “uri” dhe dëshirë për të dalë kampion. Drejtuesit e gabuan merkaton.

Kush mendoni se duhet të mbajë përgjegjësi në klub?
Përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë, duke nisur nga trajneri, drejtori, vetë lojtarët, por edhe vetë presidenti, që po e sheh ekipin të luajë keq e më keq në çdo ndeshje. Presidentit Demi duhet t’i dhimbset më shumë Partizani, por edhe paratë e familjes së tij. Mendoj se ai duhet të kërkojë arsye përse Partizani është në këtë gjendje.

Po bëhen gabime të shumta individuale, është çështje cilësie apo presioni?
Partizani nuk ka cilësi, nuk ka lojtarë që ta marrin ekipin për dore dhe të mbulojnë defektet e dikujt tjetër që mund të ketë pika të dobëta. Kjo është e gjitha. Shumë lojtarë që kanë ardhur në atë klub nuk e dinë se çfarë fanelle mbajnë veshur. Nuk e dinë që ajo stemë vlen shumë dhe Partizani çdo vit ndërtohet për kampion. Me gjasa, kjo nuk do të arrihet, por problemi është se për të përmirësuar gjendjen, duhet që presidenti të reagojë dhe të marrë vendime.

E rrezikon Partizani Europën dhe katërshen? Ku e prisni në fund të sezonit?
Patjetër që Partizani e rrezikon pjesëmarrjen në katërshe dhe Europën me këtë gjendje që ka. Na mbetet vetëm të shpresojmë që të ndodhë ndonjë mrekulli, sepse me këtë ekip dhe këtë gjendje nuk duket se Partizani do të pretendojë për titullin. Është shumë e vështirë.

Si e prisni ndeshjen e radhës kundër Laçit?
Ndeshja me Laçin do të jetë shumë e vështirë për vetë pozicionin që ndodhen edhe vetë kurbinasit. Laçi ka një ekip të ri me shumë zemër dhe do të bëjnë çfarë është e mundur për ta fituar ndeshjen. Partizani duhet ta ketë të qartë se me Laçin do ta ketë shumë të vështirë. Me këtë ekip dhe gjendje që ka, Laçi ka për të dhënë shpirtin në fushë. Gjithsesi, unë mendoj se Partizani duhet të nisë të mendojë që tani për vitin tjetër.

Si ju duket rikthimi i Gegës dhe çfarë mund të arrijë ai me këtë ekip që ka në dispozicion?
Është një lëvizje pozitive, në të mirë të klubit. Uroj që të korrigjojë gabimet e skuadrës. Do të doja shumë që kontrata e tij të ishte afatgjatë dhe të vihej në praktikë opsioni i rinovimit, sepse ai meriton të ketë kohë në dispozicion për të afruar lojtarët që i përshtaten. Uroj shumë që Gega të përsërisë suksesin e sezonit 2018-2019!

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL