EKSKLUZIVE/ Partizani godet në merkato, 3 lojtarë janë gati për trajnerin Kërnaja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2026 | 22:44

EKSKLUZIVE/ Partizani godet në merkato, 3 lojtarë janë gati për trajnerin Kërnaja

Drejtuesit e Partizanit vijojnë punën në merkato për të gjetur futbollistët e duhur për të përforcuar organikën në dispozicion të trajnerit Oltijon Kërnaja.

partizani

“Panorama Sport” mëson se të kuqtë janë pranë konkretizimit të marrëveshjes me tre futbollistë, madje gjithçka mund të zgjidhet e të zyrtarizohet në orët e ardhshme. Bëhet fjalë për një mbrojtës të djathtë, një mesfushor me tipare sulmues dhe një sulmues krahu. Ndërhyrja në këto reparte ishte e nevojshme për “Demat e Kuq” duke qenë se në mbrojtje, pikërisht në krahun e djathtë humbën shërbimet e Albion Markut për një kohë të gjatë me lojtarin që u dëmtua në ndeshjen me Egnatian dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.

Ndërkaq, një mesfushor me tipare të theksuara ofensive dhe që krijon raste shënimit për sulmuesit duke i nxjerrë ata në pozicione të favorshme, i mungon skuadrës kryeqytetase. Ndërkohë, sa i takon sulmuesit anësor, ky pozicion është theksuar disa herë edhe nga trajnerin Kërnaja se ka nevojë për më shumë alternativa. Aktualisht, në krah të sulmit në të djathtë është përshtatur Bintsuka, edhe pse ky i fundit rolin e tij natyral e ka atë të qendërsulmuesit teksa nga skuadra janë larguar edhe dy anësorë si Viktor Da Silva dhe Xhudah Garsia.

Sakaq, afrimi i parë në këtë merkato të janarit dhe goditja e parë e drejtorit Agim Ibraimi ishte ish-mesfushori i kombëtares, Kamer Qaka. Megjithatë, “hallet” duket se do të marrin fund shpejt për 17-herë kampionët e Shqipërisë pasi grupi do të përfitojë edhe më tepër kualitet. Drejtuesit, por edhe stafi teknik ende nuk janë dorëzuar sa i takon objektivit për t’u kualifikuar në “Final Four”, dhe sidomos synimit për t’i shkuar deri në fund edhe Kupës së Shqipërisë me ekipin që aktualisht është në çerekfinale dhe do t’i duhet të luajë dy ndeshje ndaj Elbasanit.

PANORAMASPORT.AL