EKSKLUZIVE/ “Operacioni fshesa” te Flamurtari, vetëm tre të paprekshëm në skuadrën vlonjate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2025 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Operacioni fshesa” te Flamurtari, vetëm tre të paprekshëm në skuadrën vlonjate

Flamurtari drejt “operacionit janar”. Lëvizje drastike dhe tronditje në organikë. Te vlonjatët po ndizet alarmi i kuq.

flamurtari

Ndërsa skuadra renditet në vendin e parafundit me vetëm 13 pikë, drejtuesit dhe stafi teknik kanë filluar të përgatiten për një transformim total të grupit. Burime pranë klubit flasin për një situatë të tensionuar, ku vendimet e forta janë tashmë çështje ditësh dhe jo javësh. Në Vlorë është kuptuar se për të shpëtuar sezonin, nuk mjafton vetëm ndryshimi i qasjes taktike, por kërkohet edhe një “pastrim” i thellë në organikë.

Analiza e performancës në javët e fundit ka nxjerrë në pah dobësi të theksuara, veçanërisht në ndeshjen ndaj Dinamos, e cila konsiderohet si pika më e ulët e sezonit që nga nisja e punës me italianin Moriero. Lojtarët që u aktivizuan si titullarë në atë takim janë sot më të ekspozuarit përballë vendimeve drastike. Në listën e “rrezikut” gjenden emra si Veiga, Çantakias, Skuadrone, Urbaez, Marku, Nunes, Ramirez dhe Maksuti, të cilët nuk kanë bindur në mënyrë konstante.

Situata nuk ndryshon shumë as për futbollistët që kanë vuajtur dëmtime apo kanë humbur vendin në formacion në javët e fundit. Edhe pse disa prej tyre kanë cilësi dhe eksperiencë, stafi teknik nuk është i bindur për kontributin që mund të japin në fazën e mbetur të kampionatit. Kështu, edhe lojtarë si Pjeshka, Batha, Telushi, Oshafi, Janku dhe Rahmani nuk e kanë të sigurt të ardhmen.

Aktualisht, të vetmit që konsiderohen të “paprekshëm” janë portieri Aleskovski, kapiteni Trashi dhe Diavara, të cilët kanë ruajtur një nivel relativisht konstant dhe konsiderohen si pikat e pakta të stabilitetit në grup.

NDËRHYRJA E THELLË – Sipas burimeve brenda klubit, vendimi për të bërë “kirurgji të thellë” nuk vjen vetëm për shkak të rezultateve. Përflitet se ka mungesë harmonie në dhomat e zhveshjes, lodhje psikologjike te disa futbollistë dhe sidomos mungesë përgjegjësie në momente kyçe të ndeshjeve.

Në këtë moment kritik, Flamurtari ka nevojë për lojtarë me mentalitet fitues, me energji të reja dhe me gatishmëri për të luftuar deri në momentin e fundit për mbijetesën. Ndeshja e radhës ndaj Partizanit në transfertë pritet të shërbejë jo vetëm si test sportiv, por edhe si “provokim” i fundit për disa prej futbollistëve që ende shpresojnë të qëndrojnë.

Burime nga brenda ekipit thonë se stafi teknik do të marrë vendime të menjëhershme pas kësaj sfide, pavarësisht rezultatit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL