EKSKLUZIVE/ Një nga veteranët e futbollit, Çanga: Këtë vit, titulli rikthehet në Shkodër! Vllaznia ka gjithçka për kampionatin e 10-të (E PLOTË)
Rauf Çanga, një nga veteranët e futbollit shkodran dhe një prej ish-futbollistëve të Vllaznisë së artë të viteve ‘70, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Në intervistën e tij për gazetën, Çanga është ndalur te humbja e fundit e kuqebluve ndaj Bylis. Duke e cilësuar si diçka “normale”, por pavarësisht se ndoshta skuadra nuk tregoi nivelin e saj të zakonshëm, kjo disfatë u ndikua edhe nga disa faktorë të tjerë sipas 83-vjeçarit. Megjithatë ai ka besimin se ekipi do të kthehet menjëherë te fitoret dhe se ky do të jetë sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion. Ku në fund thekson se stafi teknik dhe futbollistët që ka Vllaznia e mbushin plot pozitivitet dhe shpresë për sukses.
Profesor, një humbje e Vllaznisë në javën e fundit ndaj Bylis, si e analizon?
Në Superiore jemi mësuar që s’ka kundërshtarë të lehtë, sidomos kur luan në fusha të forta si ajo e Ballshit. Pasi Bylis dihet që është një skuadër që kërkon të shfrytëzojë në maksimum duelet si pritës dhe për çdo rival është e vështirë. Po ashtu për ta besoj se ishte shansi i “fundit” që të largoheshin disi nga fundi i tabelës dhe janë tashmë në garë totalisht për mbijetesën. Për Vllazninë mund të them se ishte thjesht një ndeshje “jo”, pas atyre sukseseve radhazi që mori skuadra në javët e shkuara. Megjithatë ndoshta prisja më tepër nga skuadra, që nuk zhvilloi atë lojën sulmuese dhe me presing lart ndaj kundërshtarit si zakonisht.
Mund të cilësohet një “ndalesë” “normale” kjo?
Patjetër që po, pasi s’ka asnjë ekip në Botë që merr vetëm fitore. Kjo është diçka e pamundur dhe këto humbje mund të konsiderohen si rrjedhojë totalisht normale gjatë një kampionati. Ekipi kishte 9 fitore radhazi e një ditë do të vinte edhe ndalesa. Në opinionin tim është diçka e zakontë dhe aspak alarmante, por këtë besoj e dinë mjaft mirë edhe në klub. Dhe skuadra ka treguar se di të menaxhojë mirë situatat dhe momentet jo shumë pozitive gjatë edicionit.
Ndikoi ndonjë faktor tjetër në rezultatin përfundimtar?
Mund të them fillimisht mungesat te Vllaznia, emra si Gurishta, Balaj apo Kastrati janë të vështirë për t’u zëvendësuar. Ata kanë një peshë të madhe në skuadër e patjetër ndikojnë kur nuk janë në fushë. Po ashtu arbitrimi për mua nuk ishte në nivelin e duhur dhe ndikoi në rezultatin përfundimtar. Vllaznisë i mungon një penallti dhe nëse do të jepej e shënohej, sot do të flisnim ndryshe dhe them se edhe rezultati do të ishte ndryshe. Por, këto gjëra ndodhin në futboll e duhet të shohësh përpara e jo të kthesh më kokën prapa.
Do të reagojë shpejt Vllaznia?
Absolutisht që po, që nga ndeshja e rradhës në kampionat. Kjo skuadër ka cilësi, ka ego, ka grintë, pra gjithçka për të kthyer edhe njëherë rezultatet pozitive. Nuk shoh asgjë që mungon te ekipi dhe kthimi i tij te fitoret e po ashtu mbajtja e kreut të renditjes. Pse jo edhe thellimi i diferencave me kundërshtarët që e ndjekin pas në vendin e dytë apo tretë.
Cilat shikon si pikat e forta të skuadrës?
Fillimisht do të thosha stafi teknik, me Edi Martinin si trajner dhe Vioresin Sinanin si drejtor shikoj një Vllazni të denjë. Janë djem shkodranë dhe kampionë me ekipin, Edi (Martini) pastaj ia ka një “borxh” Vllaznisë për një kampionat, kur ia “mori” titullin në periudhën kur drejtonte Teutën (qesh). Por, edhe futbollistët besoj se janë ndër më cilësorët në kampionat, me kuqeblutë që kanë skuadrën më të kompletuar nga të gjithë. Këto shoh si pika kryesore dhe të forta që mund të dërgojnë skuadrën drejt fitoreve dhe sukseseve deri në fundin e edicionit.
Po rivalët që mund të jenë “pengesë” për kuqeblutë?
Egantia dhe Elbasani, nuk shoh rivalë të tjerë përpos këtyre për Vllazninë. Këto dy ekipe janë të vetmet që afrohen me shkodranët, megjithatë e ritheksoj se Vllaznia ka më shumë cilësi se ata. Po ashtu ka treguar në ndeshjet direkte se ka triumfuar edhe ndaj kundërshtarëve direktë. Por, në fund të fundit çdo rival dhe çdo ndeshje në Superiore ka të njëjtën vlerë. Sepse pikët merren njësoj si me vendet e para ashtu edhe me ato të fundit.
Sa besim keni te ky sezon dhe kthimi i titullit në Shkodër?
Kam shumë besim e po ashtu dëshirë, ka ardhur momenti që titulli të jetë në Shkodër. Ka ardhur momenti të gëzojë ekipi më i vjetër në vend e po ashtu këta tifozë e qytetarë të mrekullueshëm. 25 vite pa titull janë shumë dhe Vllaznia s’ka qëndruar kurrë kaq gjatë pa fituar kampionatin. Them se tani janë kushtet ideale që ekipi të shpallet kampion e të shënojë titullin e 10-të në histori, që do të ishte me të vërtetë diçka shumë speciale.
Po “klasiken” ndaj Tiranës këtë të premte, si e mendon dhe parashikon?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë ndaj një rivali historik si Tirana. Nuk duhet shikuar aspak pozicioni i kundërshtarit sepse në një duel të tillë, renditja s’ka aspak rëndësi. Megjithatë them se Vllaznia rikthehet te fitorja, sidomos pasi luan në shtëpi dhe me tifozët në krah. Që uroj të jenë sa më të shumtë në shkallët e “Loro Boriçit”. Mendoj se kuqeblutë do ia dalin dhe do marrin një fitore ndaj Tiranës në këtë raund të Superiores.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













