EKSKLUZIVE/ Mezani merr stolin e klubit të Superiores: Kemi cilësi për të mbijetuar
Bylisi ka vendosur për trajnerin e ri. Pas dorëheqjes së Nevil Dedes, në Ballsh kanë emëruar në krye të stolit vlonjatin Gentian Mezani. Ballshiotët e kanë synuar edhe më parë Mezanin, por duket se ky ka qenë momenti më i përshtatshëm për të dyja palët.

Mezani është një trajner me shumë eksperiencë në ekipe në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku ka drejtuar ekipe me shumë traditë. Mezani vjen në krye të skuadrës pas humbjes pa kushte me Vllazninë, që shkaktoi edhe një dorëheqje të menjëhershme të Nevil Dedes, direkt në intervistën pas ndeshjes.
PRONONCIMI – “Panorama Sport” arriti t’i marrë Mezanit një prononcim të shkurtër në lidhje me emërimin e tij në krye të Bylisit. Vlonjati shprehet se vjen të drejtojë një ekip me mjaft cilësi.
“Më pëlqejnë sfidat dhe Bylisi do të jetë një sfidë e madhe për mua. Vlerësoj projektin që kanë në Ballsh, por futbolli ka surprizat e veta, të bukura, por edhe jo ndonjëherë. Dua që të bëjmë maksimumin, kam një grup të mirë dhe dua të falënderoj presidentin Besnik Kapllanaj për mbështetjen. Synimi është që unë të shpëtoj skuadrën nga rënia. Të gjithë se bashku, do të punojmë çdo ditë drejt këtij objektivi, sepse mundësitë janë, edhe pse kampionati është në një situatë ku gara është në kulmin e vet. Shpresoj që të bëj më të mirën dhe të vazhdoj atë që nisi Nevili, i cili mendoj se ka bërë një punë të mirë me Bylisin”, tha Gentian Mezani, trajneri i ri i mallakastriotëve.
KARRIERA – Mezani e ka nisur karrierën si trajner moshash e Flamurtari U-17 dhe U-19 në vendin tonë, por edhe me vlonjatët në elitë në periudha të ndryshme. Ai po ashtu ka drejtuar Laçin dhe Luftëtarin në Superiore. Ai numëron edhe një eksperiencë me ekipin e Gjilanit në elitën e futbollit kosovar.
DEBUTIMI – 49-vjeçari e nis aventurën me Bylisin në një sfidë në shtëpi kundër Elbasanit. Bylisi do të jetë i plotë ndaj verdhebluve, pasi nuk ka lojtarë të dëmtuar apo të pezulluar nga kartonët. Në Ballsh duan kthesën e menjëhershme në kampionat, në mënyrë që të mos ndërlikojnë edhe më pozitat në tabelën e renditjes. Brenda këtij sezoni Gentian Mezani bëhet trajneri i tretë që drejton Bylisin. Ishte nigeriani Emanuel Egbo, që nisi nga puna, më pas Nevil Dede për dy faza dhe tashmë e merr vlonjati, me synimin që të mbajë Bylisin në mesin e më të mirave. Mallakastriotët ndodhen në pozita jo të mira, aq më tepër që në javët e fundit kanë pasur regres, ndryshe nga rivalët e tyre si Tirana e Laçi, që kanë marrë pikë në shtëpi dhe transferta.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













